Përfundon takimi Trump Jinping Putin
BKT
Rajoni dhe Bota

Përfundon takimi Trump Jinping Putin

RTK

Presidenti amerikan, Donald Trump është larguar nga Kina pas takimit të parë ndonjëherë mes liderëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë që zgjati rreth 90 minuta. Trump u shpreh se, duke marrë pjesë në këtë takim, po përcaktonte një “kurs të ndryshëm” në politikën e jashtme, ndërsa i cilësoi si miq mikpritësin, Xi Jinping, ashtu edhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Pas samitit, SHBA-ja, Kina dhe Rusia lëshuan një "deklaratë të përbashkët për paqen", në të cilën thuhet se "një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë".

Në deklaratë tre udhëheqësit u zotuan për një dialog mbi "zvogëlimin e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes bërthamore". Çështja u trajtua shkurtimisht në krye të takimit të tyre trepalësh, me Xi që i përshkroi armët bërthamore si "shpata e Damokleut që varet mbi njerëzimin", sipas medias shtetërore kineze. "Ato duhet të ndalohen plotësisht dhe të shkatërrohen plotësisht", tha Xi. Ndërkohë, gjatë takimit trepalësh, Trump tha se është "jetike" që të tre vendet të bashkëpunojnë për të "luftuar kërcënimin e përhapjes bërthamore në vendet e tjera anembanë botës".

Deklarata thotë se Xi, Putin dhe Trump janë të përkushtuar për të ruajtur stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare duke shtuar se ata diskutuan sigurinë energjetike dhe planifikojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës.

U theksua gjithashtu çështja e imunitetit që gëzojnë zyrtarët shtetërorë. Deklarata thotë se ata ranë dakord që Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe institucione të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre. Më herët, Trump zhvilloi takime të veçanta dypalëshe me Putinin dhe Xi-në. Ai e quajti liderin rus mikun e tij. Pas takimit me Xi-në, Trump tha se SHBA-ja dhe Kina dëshirojnë t'i shohin fundin luftës në Ukrainë.

Në shumë qarqe evropiane po rritet pakënaqësia për faktin se Xi nuk ushtron më shumë presion ndaj Rusisë lidhur me Ukrainën, derisa për Putinin, samiti shihet tashmë si një fitore diplomatike, thonë analistët. Aleatët evropianë të Ukrainës në anën tjetër do të zhvillojnë një takim të të ashtuquajturës “Koalicion i të Vullnetshmëve” në Berlin, brenda pak orësh. Në takimin e Berlinit do të marrin pjesë gjithashtu të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Të enjten në mëngjes, Kushner deklaroi se prioritetet janë forcimi i mëtejshëm i bashkërendimit me Ukrainën dhe Evropën, si dhe përgatitja e një axhende për raundin e ardhshëm të bisedimeve të paqes.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota