Prodhimi vendor, prioritet për zhvillim /Video
BKT
Ekonomi

Prodhimi vendor, prioritet për zhvillim /Video

Zenel Hajrizi / RTK

Panairi i produkteve vendore, i gjashti me radhë, mblodhi prodhues dhe përpunues të pemëve dhe perimeve ku u prezantua intenca e shtimit të prodhimit vendor si mundësi për ulje të importit dhe prodhimit cilësor të vendit.

 “Është ky eventi kryesor në Kosovë që ne si shoqatë e organizojmë, i kemi rreth 130 kompani pjesëmarrëse, blerës dhe prodhues vendor, qëllimi kryesor është me i lidhë prodhuesit me blerësit qofshin ata vendor qofshin ndërkombëtar”, ka thënë Artim Gashi - Kryetar i PepeKos.

Sektori i bujqësisë vazhdon të jetë njëri prej sektorëve më të rëndësishme të zhvillimit socio-ekonomik në vend, marrë parasysh që rreth 50% e popullatës në Kosovë jetojnë në zonat rurale dhe si aktivitet primarë kanë sektorin e bujqësisë.

“Është shumë e rëndësishme të ngritën kapacitet dhe njohuritë e gjeneratave të reja në mënyrë që ata të jenë të gatshëm për të kontribuar në menaxhim të fermës dhe sigurinë ushqimore, gjetjen e tregjeve, standardet e sigurisë së ushqimeve deri tek eksporti ose te tryeza e konsumatorit”, ka thënë Lena Ibishai - Fakulteti i Bujqësorë Prishtinë.

Studentët pjesëmarrës në panair thonë se aplikimi i njohurive në praktikë është i domosdoshëm.

 “Mendoj që bujqësia si sektor është shumë i rëndësishëm sa i përket prodhimit të ushqimit dhe ne si gjenerata të reja mendoj që kemi mundësi më shumë për me investu në të ardhmen tonë e në të njëjtën kohë me pas ide dhe qasje të reja në këtë sektor”, ka thënë Tea Kadriqeli - studente e fakultetit të Bujqësisë.

Në këtë panair u tha se aplikimi i njohurive shkencore në praktike dhe kërkesa të tregut përmes organizimit të panaireve i kontribuon mundësisë së punësimit, shtimit të prodhimeve vendore dhe vetëdijesimit për konsum dhe cilësi të produkteve vendore.


MË SHUME NGA Ekonomi