Kosova dhe Maqedonia e Veriut avancojnë projektin e tunelit Tetovë–Prizren
Sh.Ç/RTKlive
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë mbajtur një takim të përbashkët të grupeve punuese, në të cilin është diskutuar ecuria e projektit të tunelit Tetovë–Prizren dhe hapat e mëtejmë drejt realizimit të tij.
Grupi punues i Kosovës udhëhiqej nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Zef Morina, ndërsa atë të Maqedonisë së Veriut e udhëhiqte zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Gjatë takimit, të dyja palët u dakorduan që në një afat sa më të shkurtër të përgatiten kriteret dhe kërkesat teknike, të cilat janë të domosdoshme për shpalljen e tenderit për hartimin e projektit.
Tuneli Tetovë–Prizren konsiderohet një projekt me rëndësi të veçantë infrastrukturore dhe strategjike për të dyja vendet. Realizimi i tij pritet të përmirësojë ndërlidhjen ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave, si dhe të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal.
Palët kanë shprehur angazhimin që procesi të vazhdojë me hapa konkretë, me synimin që projekti të kalojë sa më shpejt në fazën e projektimit.






















