Mijëra mësues protestojnë për paga më të larta në Spanjë
atsh
Sektori i arsimit publik në rajonin e Madridit është përfshirë nga një valë protestash dhe grevash të mësuesve, të cilët kërkojnë rritje të pagave, ulje të numrit të nxënësve në klasa dhe më shumë investime në shkollat publike, sipas RTVE.
Greva e pacaktuar nisi më 14 tetor 2026, me thirrjen e disa organizatave sindikale dhe grupeve të punonjësve të arsimit.
Në të janë përfshirë mësuesit e arsimit publik parauniversitar, ndërsa në mobilizime kanë marrë pjesë edhe studentë, prindër dhe punonjës të sektorit arsimor.
Sipas sindikatave, rreth 65 mijë mësues janë thirrur të marrin pjesë në grevë në të gjithë rajonin e Madridit.
Megjithatë, shifrat për pjesëmarrjen kanë qenë objekt mosmarrëveshjesh mes organizatorëve dhe autoriteteve rajonale.
Në qendër të kërkesave të mësuesve janë 10 çështje kryesore: rritja e pagave me 600 euro në muaj, ulja e orëve mësimore, pakësimi i numrit të nxënësve në klasa, shtimi i personelit mbështetës dhe përmirësimi i kushteve në shkolla.
Sindikatat kërkojnë që ngarkesa mësimore javore, të ulet në 17 orë për mësuesit e arsimit të mesëm dhe arsimit profesional, si dhe në 22 orë për mësuesit e arsimit fillor. Ato kërkojnë gjithashtu kufizimin e numrit të nxënësve në 13 në arsimin parashkollor, 15 në arsimin fillor, 20 në arsimin e mesëm dhe 15 në arsimin profesional.
Një tjetër kërkesë është shtimi i specialistëve të orientimit dhe mbështetjes psikologjike, me një profesionist për çdo 250 nxënës, si dhe më shumë burime për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore.
Organizatat sindikale kërkojnë gjithashtu reduktimin e kontratave të përkohshme, uljen e ngarkesës administrative të mësuesve, punësimin e të paktën një administratori me kohë të plotë në çdo shkollë dhe përmirësimin e infrastrukturës, përfshirë sistemet e ajrimit dhe klimatizimit. Në kërkesat e tyre përfshihet edhe heqja e materialeve që përmbajnë azbest nga ndërtesat shkollore.
Protestat janë shoqëruar edhe me mobilizime të studentëve dhe punonjësve të gjashtë universiteteve publike të Madridit: Complutense, Autónoma, Politécnica, Carlos III, Alcalá dhe Rey Juan Carlos.
Ata zhvilluan një grevë dyditore më 4 dhe 5 nëntor, duke kërkuar më shumë financim për universitetet publike, përmirësimin e kushteve të punës dhe studimit, si dhe hapjen e negociatave me autoritetet rajonale.
Gjatë protestës së 5 nëntorit, qindra demonstrues u mblodhën përpara Departamentit të Arsimit në rrugën Alcalá, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve. Një person u arrestua nga policia bashkiake nën dyshimin për mosbindje dhe rezistencë ndaj autoriteteve. Organizatorët kundërshtuan arrestimin, duke pretenduar se mësuesi po merrte pjesë në mënyrë paqësore në protestë.
Gjatë tubimit, disa protestues organizuan edhe një performancë simbolike në formën e një kortezhi mortor për arsimin publik, të veshur me të zeza dhe me karafila prej letre jeshile, për të shprehur shqetësimin për gjendjen e sektorit.
Ndërkohë, presidentja e rajonit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, ka kundërshtuar grevën, duke i cilësuar protestat si të motivuara politikisht. Qeveria rajonale argumenton se po zbaton marrëveshjet e mëparshme me përfaqësuesit e mësuesve dhe i konsideron kërkesat e sindikatave të parealizueshme në formën e paraqitur.
Edhe përmasat e grevës janë bërë objekt debati. Sindikatat kanë raportuar pjesëmarrje prej 50% në një nga ditët e mobilizimit, ndërsa autoritetet rajonale kanë deklaruar 13,2%.
Deri më 21 nëntor, greva e mësuesve të arsimit publik parauniversitar vijon pa një datë përfundimi dhe pa një marrëveshje mes sindikatave dhe qeverisë rajonale. Sindikatat kërkojnë negociata të drejtpërdrejta me komitetin e grevës për të trajtuar kërkesat e tyre.






















