Llapi e shkatërron Vushtrrinë, Malisheva përmbys Dukagjinin
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të javës së 14-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Llapi ka regjistruar një fitore të rëndësishme, duke triumfuar 4-1 ndaj Vushtrrisë në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Pas një serie prej gjashtë humbjesh radhazi si vendas, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina më në fund ka arritur të festojë para tifozëve të saj.
Llapjanët e nisën mirë takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 20-të. Kevin D'Almeida realizoi për 1-0, pas asistimit të Arbnor Ramadanit, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Vushtrria reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë shifrat në minutën e 60-të, kur Albijon Shurdhiqi shënoi pas pasimit të Daut Maxhunit.
Megjithatë, Llapi nuk lejoi befasi. Dhjetë minuta më vonë, Fiton Ademi riktheu epërsinë e vendasve, duke realizuar për 2-1 pas asistimit të D'Almeidas.
Dominimi i llapjanëve vazhdoi edhe në minutat e fundit. Abdoulaye Yahaya shënoi golin e tretë në minutën e 84-t, pas asistimit të Ramadanit, ndërsa ky i fundit u bë protagonist edhe në fund, duke realizuar nga penalltia për rezultatin përfundimtar 4-1.
Me këtë triumf, Llapi ngjitet në kuotën e 11 pikëve dhe renditet në pozitën e nëntë, ndërsa Vushtrria mbetet e fundit me vetëm tri pikë.
Në xhiron e ardhshme, Llapi do të përballet me Malishevën në udhëtim, kurse Vushtrria do të jetë nikoqire e Drenicës.
Fitore tejet të rëndësishme ka arritur edhe Malisheva e cila para tifozëve të saj mundi Dukagjini, me rezultat 2-1.
Fillimisht, ishin mysafirët që kaluan në epërsi me anë të Dienit Isufit, i cili realizoi për 0-1.
Megjithatë, Malisheva reagoi në pjesën e dytë, duke përmbysur gjithçka me dy gola.
Uka barazoi shifrat në 1-1, ndërsa pas rishikimit të situatës nga VAR-i, Egzon Sinani u ndëshkua me karton të kuq.
Nga pika e bardhë i pagabueshëm u tregua Dreni Kryeziu, që shënoi për 2-1 dhe vulosi fitoren e Malishevës.
Pas kësaj fitore, Malisheva ka 30 pikë në vendine dytë, pesë me pak se liderja e tabelës, Prishtina, kurse, Dukagjini është e gjashta me 18 sosh.






















