Sulmohet me dron anija ruse në Gjirin e Finlandës
Sh.Ç/RTKlive
Një anije mallrash ruse, e quajtur `Sparta II`, e cila ishte nisur drejt enklavës ruse të Kaliningradit, është goditur nga një sulm me dron në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës. Pas sulmit, anija është përfshirë nga zjarri dhe ka përfunduar duke lëvizur drejt ujërave territoriale finlandeze, njoftuan autoritetet ruse dhe finlandeze.
Forcat e Mbrojtjes së Finlandës kanë deklaruar se Ukraina dyshohet të jetë përgjegjëse për sulmin, ndërsa autoritetet ukrainase ende nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar lidhur me incidentin, shkruan BBC.
Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, duke reaguar ndaj ngjarjes, deklaroi se lufta po shtrihet gjithnjë e më pranë territorit finlandez.
“Lufta po përhapet në afërsinë tonë të drejtpërdrejtë”, tha Orpo, duke shtuar se “Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresorit”.
Guvernatori i rajonit rus të Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, deklaroi se, sipas informacioneve paraprake, në sulm janë përdorur dy dronë. Ai siguroi se nuk ekziston ndonjë kërcënim për furnizimin e territorit me mallra.
Anija 'Sparta II' është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara që nga viti 2022, ndërsa Ukraina e ka vendosur në listën e sanksioneve edhe këtë vit. Sipas autoriteteve amerikane dhe ukrainase, anija operohet nga një kompani ruse.
Në faqen e saj zyrtare, kompania deklaron se është themeluar në vitin 2011 në kuadër të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë dhe se, që nga viti 2015, vepron në kuadër të kompleksit të ndërtimit ushtarak rus.
Pas incidentit, autoritetet finlandeze vendosën përkohësisht kufizime në trafikun ajror dhe atë detar në zonën përreth.
Ndërkohë, Ministria finlandeze e Mbrojtjes njoftoi se një helikopter rus dyshohej se kishte shkelur hapësirën ajrore të vendit. Sipas autoriteteve, hyrja e tij mund të ketë qenë e lidhur me operacione shpëtimi ose me përpjekje për të ndjekur zhvillimet në vendngjarje.
Fillimisht, guvernatori i Kaliningradit njoftoi se një anije ruse e shpëtimit i ishte afruar Sparta II dhe se ekuipazhi kishte deklaruar se nuk kishte nevojë për evakuim.
“Ekuipazhi aktualisht po kryen punët e nevojshme dhe planifikon të vazhdojë rrugën”, shkroi Besprozvannykh në platformën Telegram.
Megjithatë, më vonë Roja Kufitare e Finlandës konfirmoi se anëtarët e ekuipazhit ishin evakuuar në një anije tjetër ruse, e cila tashmë ishte nisur në drejtim të Rusisë. Anija ruse e shpëtimit kishte mbetur pranë anijes së dëmtuar.
Autoritetet finlandeze theksuan se deri në atë moment nuk ishte konstatuar ndotje e mjedisit dhe se nuk kishte rrezik për trafikun detar apo për njerëzit në zonë.
Ministri i Mbrojtjes i Finlandës, Antti Häkkänen, deklaroi se hetimet për incidentin janë në përgjegjësi të Rojës Kufitare finlandeze, e cila po bashkëpunon me institucionet e tjera përkatëse. Ministria konfirmoi gjithashtu se NATO-ja ishte informuar për ngjarjen.
Kaliningradi, enklavë ruse e vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë, ka rëndësi strategjike për Moskën, veçanërisht për shkak të pozitës së tij në rajonin e Detit Baltik.
Deti Baltik është shndërruar në një zonë të ndjeshme të përplasjes mes Rusisë dhe Ukrainës, që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Së fundmi, Ukraina ka intensifikuar sulmet me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në territorin rus, edhe përtej vijave të frontit.
Incidenti me anijen 'Sparta II' vjen në një periudhë të tensioneve të shtuara të sigurisë në rajonin e Baltikut, ku zhvillimet ushtarake dhe aktivitetet detare po ndiqen nga afër edhe nga vendet anëtare të NATO-s.






















