Zelensky: Sulmet ndaj urës së Krimesë janë përgjigje e drejtë ndaj agresionit rus
Sh.Ç/RTKlive
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka justifikuar sulmet e përsëritura të Kievit ndaj një ure strategjike që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar, duke i cilësuar ato si një “përgjigje të drejtë” ndaj 109 sulmeve të veçanta ruse kundër urave në Ukrainë.
Në një intervistë për BBC-në, në Kiev, Zelensky tha se sulmet e intensifikuara ruse ndaj Ukrainës, të cilat pasuan goditjet ndaj urës së Krimesë, janë vetëm një “sinjal se Vladimir Putin nuk dëshiron të ndalet. Ai dëshiron një arsye për ta përshkallëzuar situatën”.
Ai hodhi poshtë pretendimin e presidentit rus se ura, e cila lidh Rusinë me gadishullin që Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme nga Ukraina, përdoret “ekskluzivisht për qëllime civile”.
“Ka fakte, jo vetëm fjalët e Putinit. Ne mund t’i shohim ato”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas iu referua pamjeve të publikuara në internet, ku shihen tanke dhe pajisje të tjera ushtarake ruse duke përdorur këtë rrugë për të kaluar nga Rusia në Krimenë e pushtuar, si pjesë e linjës së furnizimit dhe logjistikës ushtarake.
“Nëse Putini do ta përdorte internetin, do të mund ta shihte këtë”, tha ai.
Zelensky shtoi se Rusia ka kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj urave në territorin ukrainas.
Në sulmet e kombinuara me raketa dhe dronë të kryera këtë javë, forcat ukrainase shkatërruan pjesën qendrore të segmentit rrugor të urës së Krimesë. Si pasojë, një pjesë e saj u shemb në det, së bashku me njërin prej dy harqeve mbështetëse, duke e bërë urën të papërdorshme për qarkullimin rrugor.
Sulmet ruse shkaktojnë viktima në Ukrainë
Sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhduan edhe të premten në mbrëmje dhe gjatë natës. Në qytetin Kryvyi Rih, vendlindjen e presidentit Zelensky, në rajonin qendror të Dnipropetrovskut, një djalë shtatëvjeçar humbi jetën nga sulmet me raketa dhe dronë.
Sipas zyrtarëve lokalë, fëmija ndodhej në një kënd lojërash në momentin e sulmit.
Gjithashtu, mbeti e vrarë një mjeke 20-vjeçare. Një zyrtar lokal bëri të ditur se, në momentin kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, e njëjta zonë u godit sërish nga dronë me motorë reaktivë. Në qytet u plagosën edhe 58 persona të tjerë.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës (DSNS) njoftoi se 11 persona të tjerë u plagosën në rajonin verilindor të Kharkivit, ndërsa një person në rajonin e Rivnes, në veriperëndim të vendit.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Britania konfirmon mbështetjen për Ukrainën
Zelensky dha deklaratat për BBC-në para një takimi në Kiev me sekretarin britanik të Mbrojtjes, Wes Streeting, i cili i tha presidentit ukrainas se kishte ardhur për të dëshmuar unitetin e Evropës në mbështetje të Ukrainës.
“Sa më shumë që Putini përpiqet të na përçajë, aq më të vendosur bëhemi”, deklaroi Streeting.
Ai i cilësoi si “provokim skandaloz” raketat ruse që goditën Poloninë të premten, gjatë stërvitjeve ushtarake të të ashtuquajturit Koalicioni i Vullnetit.
Sipas tij, koha kur ndodhi incidenti dukej “më shumë se një rastësi”.
I pyetur nga BBC-ja për reagimin e NATO-s, Streeting tha se mënyra më e mirë ishte “të bëhet më shumë për Ukrainën”, në mënyrë që ajo të mund të mbrohet nga Putini, të cilin e cilësoi si “vrasës gjakftohtë”.
Përshkrimi i Putinit nga Streeting përkonte me deklaratat e mëhershme të Zelenskyt, i cili gjithashtu e quajti liderin e Kremlinit “vrasës”. Këto deklarata erdhën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, iu referua Putinit gjatë kësaj jave si “miku im”.
Bisedimet për përfundimin e luftës
Vizita e Streetingut në Kiev u zhvillua pas takimit të liderëve evropianë në Berlin, të enjten, ku së bashku me përfaqësuesit amerikanë deklaruan se ishin të gatshëm për negociata me Moskën për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Evropa ka një qëndrim të qartë, të qëndrueshëm dhe të bashkuar në negociata”, deklaroi kryeministri britanik Andy Burnham.
Ndërkaq, kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se “kërkesat maksimaliste të Moskës nuk janë realiste”.
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan dhe njëri prej dy të dërguarve të SHBA-së që morën pjesë në takimin e Berlinit, tha se presidenti Trump, i cili ishte kyçur në takim përmes një lidhjeje telefonike nga avioni presidencial Air Force One, dëshiron të arrijë një marrëveshje me Moskën, “me Evropën në krah të tij”.
Presidenti rus Vladimir Putin deri më tani ka refuzuar çdo rol të Evropës në bisedimet e paqes të udhëhequra nga SHBA-ja. Megjithatë, në fillim të kësaj jave, ai i ftoi përfaqësuesit evropianë në Moskë, duke thënë se dëshironte të sqaronte “çfarë do të sjellë Evropa në këto bisedime”.
Takimi në kryeqytetin gjerman u zhvillua vetëm disa orë pasi Putini kishte marrë pjesë në bisedime historike trepalëshe në Shenzhen të Kinës, me Trumpin dhe presidentin kinez Xi Jinping.
Zelensky tha se kishte qenë “skeptik” para raundit të fundit të bisedimeve, pasi përfaqësuesit amerikanë kishin pretenduar se Rusia ishte e gatshme të bënte kompromis për t'i dhënë fund luftës.
“Unë mendova se [Putini] do të gjente një arsye për ta përshkallëzuar situatën”, tha presidenti ukrainas.
Ndërkaq, Streeting deklaroi për BBC-në se “Putini nuk ka absolutisht asnjë arsye të paraqitet si viktimë. Ai është agresori në këtë luftë. Ai provokoi një pushtim të paligjshëm të Ukrainës. Dhe të gjithë ne, kudo në botë, duhet ta gjykojmë Putinin jo nga fjalët e tij, por nga veprimet e tij”.






















