Drita mposht Feronikelin ’74 në një sfidë dramatike
F.B/RTKLive
Drita ka shënuar fitore me rezultat 4-3 ndaj Feronikelit ’74, në një përballje dramatike të vlefshme për javën e 14-të të Superligës së Kosovës.
Ndeshja nisi me gol që në minutën e dytë, kur Albin Prapashtica kaloi mysafirët në epërsi. Drita reagoi me Besnik Krasniqin, i cili barazoi në minutën e 10-të, ndërsa Eduard Rroca shënoi për 2-1 në minutën e 23-të.
Feronikeli ’74 riktheu baraspeshën në minutën e 37-të përmes Ibrahim Cervadikut, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultat 2-2.
Në pjesën e dytë, Blerim Krasniqi kaloi Dritën sërish në epërsi në minutën e 48-të, por Lorik Dobratiqi barazoi për 3-3 gjashtë minuta më vonë.
Golin e fitores për skuadrën gjilanase e realizoi Oniks Grezda në minutën e 61-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-3.
Pas kësaj fitoreje, Drita renditet në pozitën e tretë me 27 pikë, ndërsa Feronikeli ’74 zë vendin e shtatë me 15 pikë.






















