Në Negroc përurohet obelisku në nderim të Jakup Krasniqit / Video
Fatos Cërvadiku/RTK
Në 28-vjetorin e daljes publike të UÇK-së dhe në një periudhë kur në vend po shtohen përpjekjet për mbështetjen e ish-krerëve të saj në procesin gjyqësor në Hagë, në Negroc të Drenasit është përuruar obelisku në nderim të Jakup Krasniqit. Ky monument u vlerësua si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij dhe të bashkëluftëtarëve në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Përveç shenjës së zakonshme që njofton për hyrjen në këtë fshat, Negroci i Drenasit do të identifikohet edhe me këtë obelisk, i cili u përurua në nderim të ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
Familjarë, bashkëluftëtarë e përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, obeliskun e konsideruan si respekt e vlerësim për angazhimin e Krasniqit dhe të bashkëluftëtarëve për liri dhe pavarësi.
I biri i tij, Altini, u shpreh falënderues që babai i tij po nderohet në këtë mënyrë.
“Është ndjenjë shumë e mirë. Unë jam krenar që jam djali i Jakup Krasniqit”, tha Altin Krasniqi, i biri i Jakup Krasniqit.
Përfaqësues komunalë e bashkëveprimtarë thanë se Jakup Krasniqi me shokë, përmes luftës që zhvilluan, mbeten çlirimtarë të vendit.
“Baci Jakup ka dhënë kontribut shumë të çmueshëm në shtetndërtimin, në çlirimin dhe tash po përballen padrejtësisht në Gjykatën e Hagës”, tha Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit.
“Si profesor i historisë, ua mësoj brezave historinë, se liria nuk falet, liria fitohet dhe për ta fituar lirinë duhet sakrificë”, tha Xhavit Jashari, nga shoqatat e dala nga lufta.
“Kosovës, më shumë se kurrë, i duhet mirënjohja gjithkund e në çdo vend. Na duhet, më shumë se çdo gjë tjetër, ta shprehim mirënjohjen që kanë bërë njerëzit tanë”, tha Fatmir Limaj, ish-komandant i UÇK-së.
“Nuk e kemi ngritur këtë pllakë për të zbukuruar hyrjen e fshatit, e kemi ngritur sepse e kemi borxh ndaj Jakup Krasniqit, ndaj kujtesës historike, ndaj UÇK-së”, tha Ferat Shala, ish-komandant i UÇK-së.
Kryetari i fshatit, Xhevdet Krasniqi, tha se Negroci ka dhënë kontribut të madh për lirinë, pasi nga ky fshat kanë dalë veprimtarë e luftëtarë të shquar dhe heronj.
Pjesëmarrësit shprehën shpresën që Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tjerë të lirohen sa më parë dhe të kenë mundësi ta vizitojnë edhe vetë këtë obelisk.






















