Brahim Diaz vazhdon me Real Madrid deri në vitin 2031
BKT
Sport

Brahim Diaz vazhdon me Real Madrid deri në vitin 2031

UK/RTKLive.com

Real Madrid e ka zyrtarizuar vazhdimin e kontratës me futbollistin maroken Brahim Diaz, i cili do të mbetet pjesë e klubit madrilen deri në qershor të vitit 2031.

Mesfushori ofensiv ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës disa javë më parë, ndërsa tani klubi spanjoll e ka bërë zyrtare marrëveshjen e re. Kontrata e mëparshme e njëzet e shtatë vjeçarit skadonte në fund të këtij sezoni.

Edhe pse nuk ka pasur shumë minuta në dispozicion dhe nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt në formacionin bazë, Diaz vazhdon të gëzojë vlerësimin e drejtuesve të klubit dhe tifozëve të Real Madridit.

Ai konsiderohet lojtar që sjell cilësi sa herë që aktivizohet dhe rrit konkurrencën brenda skuadrës, pa krijuar pakënaqësi për minutat e pakta në fushë.

Diaz ka zgjedhur të përfaqësojë Marokun në nivel ndërkombëtar, ndonëse më herët kishte luajtur për grupmoshat e Spanjës dhe kishte debutuar edhe me ekipin e parë të këtij vendi.

Me përfaqësuesen marokene ka zhvilluar tridhjetë e gjashtë ndeshje dhe ka shënuar pesëmbëdhjetë gola. Ai ishte edhe golashënuesi më i mirë i Kupës së Kombeve të Afrikës, në një turne që u përcoll me polemika dhe përfundoi me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për t'ia njohur titullin Senegalit.

Diaz e ka përjetuar rëndë humbjen e finales, pasi gjatë vazhdimeve kishte dështuar të shënojë nga penalltia, duke tentuar ekzekutimin në stilin “Panenka”.

Karrierën e kishte nisur në akademinë e Malaga, ndërsa si adoleshent ishte transferuar te Manchester City. Në vitin 2019, në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, i ishte bashkuar Real Madrid.

Pas një periudhe të shkurtër në Madrid, ai ishte huazuar te Milan, ku qëndroi për tri sezone. Megjithatë, deri më tani ka regjistruar 173 paraqitje me fanellën e Real Madrid.

Gjatë qëndrimit në klubin madrilen, Diaz ka fituar një herë Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube, Superkupën e Evropës, dy tituj të La Ligës dhe dy Superkupa të Spanjës.


MË SHUME NGA Sport