Musiala pëson një tjetër lëndim, Bayerni mbetet pa të për një kohë të pacaktuar
UK/RTKLive.com
Mesfushori i Bayern Munich, Jamal Musiala, do të mungojë sërish për shkak të një lëndimi në muskulin e pasmë të kofshës së djathtë, ka njoftuar të premten klubi gjerman.
Lëndimi i ri vjen vetëm një javë pasi futbollisti njëzet e tre vjeçar ishte rikthyer në fushë, pas një mungese të gjatë për shkak të një lëndimi të ngjashëm, të pësuar në shtator.
Reprezentuesi i Gjermanisë është aktivizuar në minutën e shtatëdhjetë e gjashtë të ndeshjes së së mërkurës, në të cilën Bayern është mposhtur 2:1 nga Lille në Champions League. Ai ishte rikthyer në ndeshjen e Bundesligës kundër Koln, që përfundoi 1:1.
Bayern ka bërë të ditur se stafi mjekësor e ka konfirmuar lëndimin muskulor, duke mos dhënë një afat për rikthimin e tij.
Musiala kishte munguar për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar, pasi kishte thyer këmbën gjatë Kupës së Botës për Klube në vitin 2025. Megjithatë, ai ishte rikthyer për të luajtur me Gjermaninë në Kupën e Botës të këtij viti.
Lëndimi i fundit vjen në një periudhë kur Bayerni është vënë nën vëzhgim për mënyrën se si e ka trajtuar çështjen shëndetësore të mesfushorit. Musiala kishte bërë të ditur në gusht se vuante nga një çrregullim neurologjik, pasi kishte humbur ndjenjat në dy ndeshje.
Klubi kishte njoftuar të mërkurën se Musiala ishte ekzaminuar për simptoma neurologjike që në prill të vitit 2025, më shumë se gjashtëmbëdhjetë muaj para se të bëhej publike diagnoza e tij.
Këtë javë, drejtuesit e Bayern kanë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e futbollistit, pas deklaratave të presidentit të nderit Uli Hoeness dhe anëtarit të bordit Karl-Heinz Rummenigge për të ardhmen e tij dhe mundësinë e rikthimit në nivelin më të lartë. Sindikata botërore e futbollistëve, FIFPRO, i ka kritikuar ashpër këto deklarata.
“Për të dyja palët, shëndeti i lojtarit është përparësia absolute. Jamal Musiala do ta marrë mbështetjen e plotë gjatë gjithë procesit të rikuperimit”, ka njoftuar Bayern pas bisedimeve.
Musiala e ka vazhduar kontratën me Bayernin deri në vitin 2030, në shkurt të vitit 2025.






















