Zëvendësministri Mehmeti viziton Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike
A.B/RTKLive
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës ka mirëpritur zëvendësministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINTI), Jeton Mehmeti, i cili u shoqërua nga bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë vizitës, zëvendësministri u njoh nga afër me potencialin hulumtues dhe shkencor të FIM-it, kapacitetet e laboratorëve, si dhe aktivitetet dhe projektet që zhvillohen në Qendrën e Inovacionit të Universitetit të Prishtinës.
Në kuadër të vizitës, z. Mehmeti zhvilloi bashkëbisedim me studentët dhe stafin akademik, duke i informuar për skemat e granteve që pritet të fillojnë të shpërndahen nga viti i ardhshëm, pas miratimit të ligjit të ri për inovacionin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Përmes këtyre skemave, mundësi për përfitim do të kenë individët, kompanitë, institucionet publike dhe private, si dhe për herë të parë edhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike mbetet i përkushtuar në krijimin e mundësive sa më të mëdha për studentët, duke i afruar ata me kërkesat e tregut të punës, duke nxitur përfshirjen në hulumtime shkencore dhe aktivitete inovative, si dhe duke krijuar kushte sa më të mira për hulumtim, zhvillim dhe inovacion në Kosovë.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve akademike dhe institucioneve shtetërore është thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore-shkencore, fuqizimin e inovacionit dhe ndërtimin e një ekonomie të bazuar në dije dhe teknologji.






















