28 Nëntori shënohet në Luginën e Preshevës|VIDEO
Besjana Mulaj / RTK
Festa e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, është shënuar edhe në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët kanë festuar me aktivitete të ndryshme, duke përcjellë mesazhe urimi dhe krenarie kombëtare.
Në Komunën e Preshevës, flamuri kombëtar shqiptar është ngritur nga kryetarja e komunës, Ardita Sinani, në shenjë të shënimit të kësaj feste me rëndësi të veçantë për shqiptarët.
Me rastin e 28 Nëntorit, urime për shqiptarët kudo që ndodhen kanë përcjellë edhe përfaqësues të institucioneve dhe të jetës politike në Luginë.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka uruar Ditën e Flamurit, ndërsa nga kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi ka përcjellë mesazhin festive, duke uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Flamurit.
Një atmosferë të veçantë festës i kanë dhënë edhe fëmijët e Çerdhes “8 Marsi”, të cilët kanë qenë pjesë e aktivitetit “Nëntor Lugine 2.0”. Përmes veshjeve me motive kombëtare, programit artistik dhe buzëqeshjeve të tyre, ata kanë sjellë ngrohtësi dhe emocion në shënimin e kësaj dite.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka vlerësuar pjesëmarrjen e fëmijëve, duke theksuar rëndësinë e përcjelljes së traditës dhe dashurisë për simbolet kombëtare te brezat e rinj.
Projekti “Nëntor Lugine” është financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, përmes Culturalb dhe në koordinim me Ambasadën e Shqipërisë në Beograd.
Megjithatë, përtej atmosferës festive, shënimi i 28 Nëntorit në Luginën e Preshevës vazhdon të shoqërohet me ndëshkime nga autoritet serbe.
Sipas të dhënave të publikuara ndër vite, Komuna e Preshevës dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar janë ndëshkuar disa herë për përdorimin e flamurit gjatë festave kombëtare.
Në Luginën e Preshevës, sipas liderëve politikë, flamuri nuk është vetëm simbol feste, por edhe shprehje e identitetit, historisë dhe përpjekjes për të drejta të barabarta.






















