​O’Connell: OShP të ketë pavarësi në punën e tij
BKT
Lajme

​O’Connell: OShP të ketë pavarësi në punën e tij

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, që ka për qëllim ngritjen e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies publike të OShP-së.

Me rastin e nënshkrimit është potencuar nevoja që OShP të ketë pavarësi në punën e tij, në mënyrë që të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe pa ndikime nga jashtë.

Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, ka thënë se prokurimi publik gjithmonë ka qenë problematik në Kosovë, derisa ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që ky institucion të ketë pavarësi të plotë.

Ambasadori ka thënë se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi që fillon sot dhe që do të ofrojnë mbështetje teknike në tri fusha, siç janë, përmirësimi i cilësisë të konsistencës së vendimeve, përmirësimi e strukturës organizative të OShP-së me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe ngritja e nivelit të bashkëpunimit të OShP-së me institucionet tjera të prokurimit publik.

Ai tha se shpreson që me fillimin e bashkëpunimin mund të ketë pak shpresë në këtë fushë.

O’Conell ka përgëzuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka marrë vendim për të përdorur memorandumin për të rekrutuar dy anëtarët e bordit të OShP-së.

Sipas tij, ky është një hap i mirëseardhur, pasi sipas tij OShP është një institucion shumë i rëndësishëm në Kosovë dhe duhet të ketë në bord dhe në staf njerëz në bazë të meritës pas proceseve transparente duke mos krijuar borxhe, favore askujt. Po ashtu, ai tha se duhet të jenë njerëz që mund të kryejnë meritor dhe që e kryejnë punën në mënyrë adekuate jo të tillë që vijnë në pozita në bazë të interesave të individëve apo grupacioneve.

Ndërkaq, kryetari i OShP-së Blerim Dina, ka thënë se kanë nevojë për më shumë pavarësi në OShP, në mënyrë që të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë në mënyrë të pavarur.

Ai u shpreh i bindur se me mbështetjen e ofruar nga Mbretëria e Bashkuar, por edhe institucione të tjera, do të arrijnë që të tejkalojnë këto sfida me qëllim të përmirësimit të punës së OShP-së.


MË SHUME NGA Lajme