Veseli: Shasivar Makolli ishte gjithmonë aty ku kërkohej angazhim
Në tre vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Shasivar Makolli – Qali, është mbajtur akademi përkujtimore. Nga aty, Makolli u kujtua si person që nuk rreshti asnjëherë së punuari, për të mbrojtur lirinë dhe kombin e tij, gjithmonë duke punuar pa kushte, e pa kursyer edhe jetën.
E bija e tij, Medina Makolli, në tre vjetorin e ndarjes nga jeta të Shasivar Makollit, e ka kujtuar me mall, të atin.
“Është kënaqësi me pa burra kaq të mëdhenj të kombit, në një hapësirë kaq të vogël. Por sot normalisht është emocion i veçantë, se jeni mbledhur këtu ta kujtoni babën tonë, e njeriun që ju ka dashur shumë”, tha Makolli.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Shasivar Makolli hynë në kategorinë e atyre që e duan atdheun pa kushte.
“Njerëzit e dalluar të Kosovës kanë një fuqi të dyfishtë, ata na bëjnë bashkë edhe kur janë në mesin tonë, por edhe kur ndahen prej nesh, saktë Shasivar Makolli ishte njeri i tillë. Sot bëhen tri vite që kur u nda prej nesh, por kujtimi i tij sërish na ka bashkuar sot në këtë sallë. Ishte gjithmonë aty ku kërkohej angazhim, në demonstratat e pranverës 1981 ai u plagos, duke qenë në ballë të tyre, por kjo nuk e ndaloi. Plagët e tij ia shtuan motivin për të bërë edhe më shumë për kombin e vet”, tha Veseli.
Ndërkaq, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka përgëzuar të gjithë që angazhohen për përkujtimet e veteranëve. Sipas tij, Makolli nuk ka hise vetëm në hapësirat e Kosovës.
“Adem Demaqi kishte pikë të dobët e çdo luftëtari, prandaj njëherit e kujtojmë edhe atë, sepse Shasivari e ka pasur pikën më të dobët, më të ndjeshme dhe më të dhimbshme bacën Adem, që është përkujdesur në çdo lëvizje të tij. Shasivar Makolli nuk ka hise vetëm në hapësirën e Kosovës, të Gollakut, por në të gjitha hapësirat shqiptare, ashtu siç e thanë edhe parafolësit e mi”, tha Ahmeti.
Gjenerali i ushtrive shqiptare, Kudusi Lame tha se Shasivar Makolli bënte punë të mëdha, pa përmendur veprimtarinë e tij.
Sipas Lames, Makolli ishte shembulli i një atdhetari, që lufton për atë pa u kursyer.
Migjen Shala, nënkryetar i OVL-së së UÇK-së, Shasivar Makollin e kujtoi si një njeri që gjithmonë i është kushtuar Kosovës, ku pohoi se Makolli ishte gjithmonë i qeshur, pavarësisht situatave në të cilat gjendej ai.
“Shasivar Makolli që nga viti ’81, deri në çlirimin e Kosovës, ka punuar pa reshtur për organizimin dhe fuqizimin e rezistencës kundër pushtuesve serbë. Ne sot e kujtojmë si një njeri që tërë jetën ia ka kushtuar çështjes kombëtare. Ai ishte një njeri që kishte një vullnet të madh për të punuar për Kosovën, humbja e tij na la një boshllëk në shoqërinë tonë”, tha ai.
Në emër të ish Unionit të Studentëve të viteve të 90-ta, Driton Lajçi ka kujtuar Shasivarin, duke thënë se atdheu ka pasur gjithmonë heronj të heshtur.
Ndryshe, Shasivar Makolli gjatë vitit 1999 ka punuar në zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së në Prishtinë Adem Demaçit.























