`Rruga pa krye`, të premten në Teatrin “Dodona”
Këtë të premte, me datë 3 maj, në Teatrin “Dodona” në Prishtinë, do të jepet shfaqja teatrore “Rruga pa krye”.
Kjo është një shfaqje eksperimentale, që trajton një ndër dukuritë më shqetësuese, bullizmin në shkolla. Në këtë projekt, aktorët janë përzgjedhur nga shkollat e kryeqytetit.
“Rruga pa krye”, trajton dukuritë negative, ndërsa përcjell mesazhin e ngritjes së zërit ndaj padrejtësive që bëhen ndaj të rinjve.
Regjia e kësaj shfaqjeje është bërë nga Fata Hyseni dhe Gëzim Hasani, të cilët janë përkujdesur gjithashtu edhe për elementët e tjerë, si skenografia, kostumografia dhe muzika.
“Rruga pa krye”, është pjesë e projektit të organizatës Cult Club, “Teatri në shkolla”, që është mbështetur nga Zyra e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.
Kjo shfaqje, gjithashtu është përkrahur edhe nga Komuna e Prishtinës, drejtoria për kulturë.
Performancën teatrore, publiku mund ta shohë prej orës 13.00, të premten.























