Poetja Sadete Tërnava-Osmani fituese e çmimit `Muza e Agimit`
BKT
Kulturë

Poetja Sadete Tërnava-Osmani fituese e çmimit `Muza e Agimit`

Ora e Madhe Letrare “Muza e Agimit” ka qenë aktiviteti i radhës organizuar sot në kuadër të manifestimit “Ditët e Agimit” në Gjilan, në të cilin aktivitet me poezitë e tyre janë paraqitur rreth 20 poetë në garë për çmimin kryesor.

Pasi u lexuan nga krijuesit poezitë e tyre konkurruese, juria e Orës Letrare, në përbërje Anton Nikë Berisha, Xhylishene Berisha e Sherafedin Kadriu, shpalli fituese të çmimit “Muza e Agimit” poeten Sadete Tërnava-Osmani.

Përndryshe, edhe ky edicion nisi e përfundoi me deklamimin e vargjeve të Agim Ramadanit,  ndërsa, edhe bashkëshortja e Agimit, Shukrije Ramadani, pasi ka falënderuar të pranishmit për nderimin që po ia bëjnë Agimit me prezencën në këtë ngjarje kushtuar atij,  ka lexuar një poezi të saj jashtë konkurrencës.

Në këtë eveniment kulturor, Sabit Rrustemi tha se përmes poezisë po kujtohet heroi  i kombit Agim Ramadani, i cili do të jetë përherë frymëzim për brezat që do të vijnë.

Manifestimi “Ditët e Agimit”  vazhdon të premten me zbulimin e mozaikut – portretit  të Agim Ramadanit, bërë me gëzhoja plumbi, nga i riu Besart Gashi, e që është vendosur në qendër të Gjilanit, në ora 14:00, për të vazhduar me aktivitete tjera deri në tubimin qendror “I këndojmë Agimit” në Zhegër, në ora 16:00.

Ndryshe, “Ditët e Agimit”, mbahen çdo vit, më 1-3 maj në Zhegër të Gjilanit, në vendlindjen e heroit të kombit Agim Ramadani-Katana, në përkujtim të të cilës figurë poliedrike mbahet ky manifestim.


MË SHUME NGA Kulturë