United i paguan 13 milionë funte Sanchezit vetëm për t’u larguar
“Djajtë e Kuq” duan ta largojnë me çdo kusht sulmuesin kilian.
U transferua te Manchester United me shumë bujë në një shkëmbim me Henrik Mkhitaryan në janar të 2018-ës, por në një sezon e gjysmë me Djajtë e Kuq, Alexis Sanchez s’ka treguar pothuajse asgjë.
Forma e dobët e kilianit por edhe dëmtimet e shpeshta kanë bërë që drejtuesit e Manchester United të mendojnë largimin e tij, pasi paga që Alexis fiton në Old Trafford është tepër e lartë, plot 26 milionë funte në sezon.
Sipas Daily Mail, Manchester United i ka ofruar sulmuesit kilian zgjidhjen me konsensus të kontratës që i skadon pas 3 vitesh, duke i ofruar 13 milionë funte vetëm e vetëm që Sanchez të gjejë një skuadër të re.
Pra për ta larguar nga Old Trafford drejtuesit e Djajve të Kuq jo vetëm që janë të gatshëm të lënë të lirë Sanchezin por edhe të paguajnë një shifër të majme në llogari të tij.
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigja e Sanchez i cili kërkohet nga shumë klube në Evropë por asnjë prej tyre nuk është në gjendje të paguajë shifrën e parave që Sanchez fiton tek United.























