Trepça fiton në Pejë, Bashkimi e mposht bindshëm Rahovecin 029
UK/RTKLive.com
Trepça ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Pejës, ndërsa Bashkimi ka regjistruar një fitore të thellë kundër Rahovecit 029, në ndeshjet e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Kampionia në fuqi, Trepça, e ka mposhtur Pejën me rezultat 85:83, në një ndeshje interesante të zhvilluar të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi”.
Peja e ka fituar çerekun e parë me rezultat 23:22, ndërsa në pushim ka shkuar me epërsi prej dy pikësh, 47:45.
Megjithatë, mitrovicasit kanë reaguar fuqishëm në çerekun e tretë, të cilin e kanë fituar 27:12, duke krijuar një epërsi prej 72:59 para dhjetë minutave të fundit.
Peja është përpjekur të rikthehet në lojë dhe në minutat e fundit e ka ngushtuar dukshëm epërsinë e mysafirëve. Megjithatë, Trepça ka arritur ta menaxhojë rezultatin dhe të sigurojë fitoren me vetëm dy pikë dallim.
Domenic Artis ka qenë më i dalluari te Peja me njëzet e gjashtë pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime. Te Trepça, Dardan Kapiti ka realizuar gjashtëmbëdhjetë pikë, ndërsa Shawn Jones e ka përfunduar ndeshjen me trembëdhjetë pikë dhe njëmbëdhjetë kërcime.
Kjo është humbja e shtatë radhazi për Pejën në Superligë. Skuadra pejane ka njëmbëdhjetë pikë dhe gjendet në pjesën e poshtme të tabelës. Në anën tjetër, Trepça është në seri prej gjashtë fitoreve dhe prin në renditje me gjashtëmbëdhjetë pikë.
Fitore të thellë ka shënuar edhe Bashkimi, që në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren e ka mposhtur Rahovecin 029 me rezultat 108:65.
Nënkampioni i Kosovës e ka dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund. Pas pjesës së parë, prizrenasit kanë pasur epërsi 54:42, ndërsa çerekun e tretë e kanë fituar bindshëm, 24:9, duke e çuar rezultatin në 78:51.
Në dhjetë minutat e fundit, Bashkimi e ka ruajtur epërsinë dhe ka regjistruar fitore me dyzet e tri pikë dallim.
Divine Myles ka qenë ndër më të dalluarit te Bashkimi me gjashtëmbëdhjetë pikë dhe gjashtë asistime. Shanon Shorter ka realizuar tetëmbëdhjetë pikë, ndërsa Adrio Bailey dhe Gian Clavell nga pesëmbëdhjetë.
Te Rahoveci 029, më i dalluari ka qenë Edmond Kryeziu me tetëmbëdhjetë pikë, gjashtë kërcime dhe një asistim.
Skuadra rahovecase po përballet me vështirësi financiare dhe në këtë ndeshje është paraqitur vetëm me një basketbollist të huaj. Jabari Craig ka realizuar dhjetë pikë dhe dhjetë kërcime.
Pas kësaj fitoreje, Bashkimi ka gjashtëmbëdhjetë pikë, aq sa Trepça dhe Bora. Rahoveci 029 mbetet në fund të tabelës me njëmbëdhjetë pikë, sa kanë edhe Peja dhe Vëllaznimi.























