Foda i zhgënjyer me rastet e humbura, Ben Shimon e vlerëson të drejtë barazimin
BKT
Sport

Foda i zhgënjyer me rastet e humbura, Ben Shimon e vlerëson të drejtë barazimin

UK/RTKLive.com

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është shprehur i zhgënjyer me rastet e pashfrytëzuara nga futbollistët e tij në barazimin pa gola ndaj Izraelit, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kosova dhe Izraeli kanë barazuar 0:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” të shtunën, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B3 të Ligës B në Ligën e Kombeve.

Foda ka thënë se Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen dhe krijoi raste të mira për shënim, sidomos në pjesën e parë, por mungoi konkretizimi.

Ai ka theksuar se përjashtimi i Veldin Hoxhës dhe loja me një futbollist më pak e vështirësuan pjesën e dytë, megjithëse Kosova arriti të krijonte edhe disa raste të tjera.

“Filluam shumë mirë. Nuk i shfrytëzuam rastet në pjesën e parë dhe kjo ndikoi që të fitonim një pikë. Në pjesën e parë ishte loja që dëshironim. Në pjesën e dytë, me një lojtar më pak, bëhet më e vështirë dhe kishim edhe disa raste. Në përgjithësi jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve”, ka deklaruar Foda.

Përzgjedhësi gjerman ka përmendur edhe mungesën e Florent Muslijës, për të cilin ka thënë se është futbollist i rrezikshëm para portës kundërshtare.

Në anën tjetër, përzgjedhësi i Izraelit, Ran Ben Shimon, e ka vlerësuar barazimin 0:0 si rezultat të drejtë.

Ai ka thënë se përballja në Prishtinë ishte shumë e vështirë dhe është shprehur i kënaqur me pikën e fituar.

“Barazimi ishte rezultat real. Ishte ndeshje shumë e vështirë ndaj Kosovës. Jam i kënaqur me barazimin”, ka thënë Ben Shimon.