Bernardo Silva merr shiritin e kapitenit, Portugalia beson se mund t’ia dalë pa Ronaldon
UK/RTKLive.com
Bernardo Silva ka thënë se Portugalia është e gatshme të përballet me sfidat pas përfundimit të karrierës së Cristiano Ronaldos në ekipin kombëtar.
Mesfushori i Manchester City ka marrë shiritin e kapitenit nga Ronaldo dhe do ta udhëheqë Portugalinë në ndeshjen e parë pa yllin portugez, kundër Danimarkës, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Silva ka pranuar se Ronaldo ka qenë figura kryesore e përfaqësueses portugeze për më shumë se dy dekada, por ka theksuar se futbollistët e tjerë janë mësuar me presionin dhe përgjegjësinë.
“E dimë të gjithë peshën që ka Cristiano. Shumë njerëz kanë shkuar në stadium vetëm për ta parë atë dhe kjo nuk do të ndodhë më”, ka deklaruar Silva.
Ai ka shtuar se lojtarët e Portugalisë janë mësuar të jenë në qendër të vëmendjes dhe se mungesa e Ronaldos nuk do të jetë problem në këtë drejtim.
Portugalia do të organizojë një ceremoni nderimi për Ronaldon para ndeshjes me Danimarkën, e cila zhvillohet të shtunën në Braga. Futbollistët portugezë pritet të dalin në fushë me fanella me numrin shtatë, të cilin Ronaldo e ka bartur për shumë vite.
Cristiano Ronaldo e ka përfaqësuar Portugalinë që nga viti 2003. Ai ka zhvilluar 234 ndeshje dhe ka shënuar 146 gola, duke mbajtur rekordin për numrin e paraqitjeve dhe golave në nivel kombëtar.
Përzgjedhësi Jorge Jesus e ka cilësuar si ide të shkëlqyeshme nderimin e Ronaldos, duke e përshkruar atë si legjendë të futbollit portugez.
Ndërkohë, Portugalia tashmë e ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kombeve, pasi i ka fituar të katër ndeshjet në Grupin A4.























