FFK njofton tifozët për masat e sigurisë para ndeshjes Kosovë – Izrael
BKT
Sport

FFK njofton tifozët për masat e sigurisë para ndeshjes Kosovë – Izrael

A.B/RTKLive

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar një njoftim për tifozët që do të jenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen Kosovë – Izrael, e cila zhvillohet sot.

Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, FFK ka bërë të ditur se ndalohet futja dhe përdorimi i armëve, mjeteve të mprehta, mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, mjeteve eksplozive, pijeve alkoolike, laserëve dhe dronëve.

Po ashtu, ndalohet futja e pajisjeve të zërimit pa autorizim, banderolave me përmbajtje politike, raciste apo diskriminuese, çadrave dhe çdo sendi tjetër që mund të rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve.

FFK ka rikujtuar se të gjithë tifozët duhet të kenë me vete dokument të vlefshëm identifikimi, i cili do të kërkohet gjatë hyrjes në stadium.

Tifozëve u është bërë thirrje që të arrijnë sa më herët, pasi secili person do t’i nënshtrohet kontrollit të sigurisë.

Ndërkaq, është njoftuar se “Prishtina Parking” nuk do të jetë në funksion gjatë kësaj ndeshjeje. Për këtë arsye, tifozëve u është kërkuar që parkimin ta planifikojnë paraprakisht në zona më të largëta nga stadiumi, për të shmangur trafikun dhe vonesat.