Jorge Jesus pranon epërsinë e Danimarkës: Nuk na lejuan të luanim
UK/RTKLive.com
Përzgjedhësi i Portugalisë, Jorge Jesus, e ka pranuar epërsinë e Danimarkës pas humbjes së thellë 4:1 në Braga, duke thënë se kundërshtari nuk i ka lejuar portugezët të zhvillonin lojën e tyre.
Jesus ka vlerësuar paraqitjen e danezëve, veçanërisht presionin e lartë dhe mbulimin e afërt të lojtarëve portugezë.
“Na e ndaluan lojën me mbulim të lojtarëve një për një dhe me presion shumë të madh. Nuk arritëm të gjenim zgjidhje në sulm dhe as të krijonim hapësira për të shënuar”, ka thënë Jesus.
Ai ka pranuar se Portugalia ka pasur edhe më shumë vështirësi në pjesën e dytë, kur nuk ka arritur ta ndalë lojën sulmuese të Danimarkës.
“Nuk u mbrojtëm mirë. Reparti ynë defensivë pati vështirësi për t’i ndalur sulmuesit e Danimarkës. Ata patën shumë hapësirë dhe arritën të na befasojnë”, ka deklaruar trajneri portugez.
Jesus ka theksuar se humbja nuk duhet t’i zhvlerësojë rezultatet e mira të Portugalisë në katër ndeshjet e para, në të cilat kishte regjistruar po aq fitore.
“Emocionalisht, gradualisht e humbëm qetësinë sa herë që pësonim gol. Deri në rezultatin 2:0, skuadra besonte se mund ta ndryshonte rrjedhën e ndeshjes. Pas kësaj, kjo nuk ndodhi”, ka thënë ai.
Trajneri ka folur edhe për mungesën e Cristiano Ronaldos, duke kujtuar kontributin e tij të gjatë në kombëtare.
“Është normale që tifozët ta thërrasin emrin e Cristiano Ronaldos. Njerëzit nuk e harrojnë atë që ai ka bërë për njëzet e tri vjet me kombëtaren”, ka deklaruar Jesus.
Ai ka shtuar se nderimi për Ronaldon është plotësisht i merituar, për shkak të gjithçkaje që ka dhënë për përfaqësuesen dhe Portugalinë.
Pas kësaj humbje, Portugalia duhet të përqendrohet te ndeshja e radhës ndaj Uellsit, me synimin për të siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kombeve.























