Sindikalistët mbështesin drejtorin, thonë se do ta ruajnë Telekomin
BKT
Lajme

Sindikalistët mbështesin drejtorin, thonë se do ta ruajnë Telekomin

Sindikalistët e Telekomit dhe postës janë zotuar se do ta mbrojnë me të gjitha mjetet kompaninë nga përmbarimi i paralajmëruar i operatorit virtual Dardafon.net, i njohur si Z-mobile.

Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit dhe Postës, Lamih Balaj, ua bëri me dije edhe pronarëve të Z-Mobile edhe Qeverisë, Ministrisë se kaosin social do ta kenë në rrugë.

“Nëse dikush tenton që 2500 puntorë të Telekomit t'i lë pa punë dhe 1100 të Postes i paralajmërojmë fuqishëm se me djersën tonë nuk do ta gëzojnë pasurin e tyre.

I bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit, ashtu qysh e parasheh ligji, që ta ndalojë çdo vendim arbitrar, në të kundërtën tash jemi më të gatshëm se kurrë që në të gjitha format ta ndalojmë zhvatjen e miliona eurove nga kompania Z-Mobile”, tha Balaj.

Balaj thotë se e vetmja mënyrë e zgjidhjes së problemit është largimi i Z-mobile. Ai shprehet kundër privatizimit në këtë kohë. Thotë se pa e rritur vlerën e kompanisë nuk duhet të mendohet për asgjë tjetër.

“Rreth privatizimit në jemi kundër sepse nuk pajtohemi që në këtë fazë të fillohet privatizim, por  jemi që të ngritet vlera e Telekomit dhe të largohen kompanitë zhvatëse që janë brenda telekomit”, shtoi ai.

Kundër privatizimit është edhe Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi.

Kështu nuk mendon ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, por e shtyn përpara një plan ristrukturimi të Telekomit dhe privatizimit brenda një viti.

Lluka pë RTK-në thotë se në çdo fazë do të konsultohet edhe me sindikatën e Telekomit.

Në një letër dërguar kryeshefit dhe kryetares së Bordit, Dardafon.net ka kërcënuar Telekomin se në rast të mospërgjigjes për një plan pagesë mund ta aktivizojë përmbaruesin. Operatori virtual po kërkon nga telekomi 26 milionë euro.
 


MË SHUME NGA Lajme