Ndalohen dy zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nga autoritetet serbe
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se dy zyrtarë të Qeverisë së Kosovës janë ndaluar sot nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur të papranueshëm ndalimin e këtyre dy zyrtarëve, duke thënë se “keqtrajtimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe janë provokim dhe agresion i Serbisë ndaj Kosovës”, transmeton REL.
Të ndaluar nga autoritetet serbe, siç thotë kryeministri, janë Sërxhan Jonanoviq, këshilltar në Zyrën e Kryeministrit dhe Srecko Spasiq, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë.
Sipas Haradinajt, veprime të tilla tregojnë se “politika agresive e Serbisë nuk ka të ndalur dhe bllokuesit kryesor të normalizimit të marrëdhënieve janë autoritet serbe”.
Këshilltari i Haradinajt, Jovanoviq, edhe në prill të këtij viti ishte ndaluar nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë.























