Top hakeri me famë botërore Benjamin Kunz Mejri vjen në Prishtinë
Interes i veçantë për të dëgjuar përvojat e njeriut që renditet në mesin e 5 hakerëve më të mirë në botë, do të jetë për studentët e teknologjisë, posaçërisht për hakerët kosovarë dhe të interesuar të tjerë.
Hakeri Benjamin Kunz Mejri do të jetë pjesë e konferencës që do të organizohet të mërkurën dhe të enjten, me ç’rast do të ndajë përvojat mbi rrugën që ka kaluar për t’u bërë sot njëri ndër hakerët më të kërkuar në botë.
Ai ka një profil mjaft të pasur në botën e teknologjisë, i cilësuar si specialist i sigurisë në fushën e teknologjisë, ku kërkimet në fushën e tij përfshijnë dobësitë në sistemet kompjuterike, shpërblimet e gabimeve, sigurinë e pagesave elektronike si dhe mbrojtjen e privatësisë.
Mejri është i njohur për zbulimin e dobësive të reja dhe për t’i bërë ato sa më transparente për publikun.
Sa është atraktive për të, të qenit në këtë top renditje, cila është jeta e tij, përvojat me kompanitë më të mëdha në botë në fushën e teknologjisë, do t’i rrëfej Mejri në kuadër të Konferencës më të madhe në Ballkan për Siguri Kibernetike dhe Privatësi.
E biletat për t’u bërë pjesë e konferencës mund t’i blini online duke klikuar në linkun e mëposhtëm: https://www.facebook.com/pg/cybersecuritprivacy/posts/ dhe për studentët e interesuar për të qenë pjesë e konferencës CSP IV ka zbritje 50%.
“Kjo javë në Prishtinë sjell personat më me renome të fushës kibernetike dhe privatësisë. Njohuritë, kontributin dhe përvojat e tyre do t’i ndajnë politikanë, ekspertë të fushës së sigurisë kibernetike dhe privatësisë, përfaqësues të kompanive më të mëdha botërore, udhëheqës të institucioneve publike e private, përfaqësues të ambasadave te vendeve të ndryshme në Kosovë, njerëz publikë, gazetarë, profesorë e studentë”, thuhet në një njoftim të Zyrës për media të Konferencës CSP IV.
Po ashtu thuhet se për herë të parë në Kosovë, në kuadër të CSP IV, vjen Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Rrjetit dhe Informacionit –ENISA, e cila punon ngushtë me Shtetet Anëtare dhe sektorin privat për të ofruar këshilla dhe zgjidhje sa i përket teknologjisë kibernetike, zhvillimin e strategjive kombëtare të sigurisë kibernetike, bashkëpunimin e CSIRT-ve, ngritjen e kapaciteteve dhe shumë aspekte të tjera.























