Bekim Jashari: Nebih e Tahir Meha ranë në fushën e nderit
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka vlerësuar se qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, do të shënonte rezistencën aktive me armë në duar kundër pushtuesit jugosllav të trojeve tona.
“38 vite më parë, Kulla e Mehajve ishte gjendur e rrethuar nga milicia serbe, që për detyrë kishin arrestimin e të pabindurit Tahir Meha. Ajo që njihej në atë kohë si “Dita e Milicisë”, vërtetë doli të jetë e tillë, madje u doli për hundësh aksioni i arrestimit, pasi përreth kullës së rezistencës kishin mbetur të vdekur disa milicë serb”, thotë Jashari.
Postimi plotë i Jasharit në Facebook:
Populli shqiptar i Kosovës i ka rezistuar për vite më radhë shtypjes së egër nga pushtuesi serb, por qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, do të shënonte rezistencën aktive me armë në duar kundër pushtuesit jugosllav të trojeve tona.
38 vite më parë, Kulla e Mehajve ishte gjendur e rrethuar nga milicia serbe, që për detyrë kishin arrestimin e të pabindurit Tahir Meha.
Ajo që njihej në atë kohë si “Dita e Milicisë”, vërtetë doli të jetë e tillë, madje u doli për hundësh aksioni i arrestimit, pasi përreth kullës së rezistencës kishin mbetur të vdekur disa milicë serb.
Në përpjekje për ta çarë rrethimin, meqë po iu mbaronte municioni, kishin rënë në altarin e lirisë, babë e djalë, Nebih e Tahir Meha, duke shkruar kështu një faqe të veçantë të heroizmit dhe sakrificës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi nga okupatori jugosllav.
Ata ranë në fushën e nderit, ndërkaq në ditën e varrimit të këtyre trimave, u bë një betim nga Shaban Jashari dhe dy djemtë e tij, Ademi e Hamza, që ishin zotuar se krismat e pushkës nuk do të ndalen deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës, nga okupatori serb.
Në këtë ditë, përkujtojmë gjithashtu edhe dëshmorët tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtojmë heroizmin e Malush Ahmetit, kujtojmë dhe 31 heronj të tjerë të kombit.
Duke mos e harruar trishtimin e përjetuar, të ecim përpara drejt synimit të vetëm: zhvillimin e Kosovës dhe për të mirën e saj.
Është amaneti i dëshmorëve, ndërkaq detyrë e jona për fëmijët tanë.
E lavdëruar qoftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës! Të lavdëruar qofshin dëshmorët e lirisë!























