Kastrati: Miratimi i ligjit të ri do të zgjidhte problemet në RTK
RTKlive
Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si medium i vetëm publik në vend i duhet sa më shpejt ligji i ri i cili për vite me radhë po pret miratimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ligji i për RTK-në do të jepte më shumë mundësi për ta pasuruar edhe programin me emisione edukative e të fushave të tjera.
Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati, i cili javë më parë mori detyrën e re, tha se mediumi i vetëm publik në vend ka sfida të ndryshme, por nëse Kuvendi i Kosovës do të miratonte ligjin e ri për RTK-në, do të zgjidheshin shumë probleme. Kastrati vlerësoi se RTK-ja ka ruajtur pavarësinë editoriale dhe vazhdon të jetë mediumi i cili po prin me shikueshmërinë më të lartë në vend. “Pavarësisht problemeve që i ka RTK, mediumi publik vazhdon të jetë televizioni më i shikuar në Kosovë, këtë nuk e themi ne, por e thonë sondazhet. RTK prin, informacioni është shtylla kryesore dhe e padiskutueshme e RTK-së”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Kastrati theksoi se sot RTK-ja ka katër kanale televizive, radion, median online. “Problemi kryesor në RTK sot është objekti, sot ne punojmë në një ambient pa një infrastrukturë të mirë”, tha Kastrati. Kurse për ligjin e ri të RTK-së, i cili po qëndron me vite në sirtarët e Kuvendi të Kosovës, Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati, vlerësoi se ky ligj do të krijonte stabilitet në RTK. “Pavarësisht presioneve që ka, me miratimin e ligji të ri, RTK do të jetë më stabile, RTK do të jetë më e fortë, RTK do të ketë më shumë mundësi që të zhvillohet, do të ketë më shumë program pasi që edhe shikuesit e RTK-së e meritojnë një gjë të tillë”, tha ai.
Projekt madhor për mediumin publik, ndërtimi i objektit të ri
Borxhet që i ka RTK-ja, sipas Kastratit, janë problem por në momentin që do të jetë një mundësi RTK do t'i kthejë obligimet që i ka ndaj palëve.
“Unë do të mundohem që sa më parë Ligji i RTK-së të miratohet në Kuvendin e Kosovës e me këtë punëtorët e RTK-së, do të jenë më të sigurt”, tha ai. Një projekt madhor për mediumin publik është edhe ndërtimi i objektit të ri, i cili parashihet të ndërtohet në periferi të Prishtinës, e për të cilin edhe institucionet gjegjëse kanë ndarë edhe parcelën, e cila përbehet nga disa hektarë. “Punëtorëve të RTK-së, u duhet një ambient i mirë, ne nuk kemi hapësirë të mjaftueshme. P.sh në objektin e Radios janë të vendosura edhe kompani të tjera që janë lejuar të vendosen nga AKP-ja dhe të lejohen të operojnë,. Ne sot operojmë në garazhe. Dhoma e lajmeve funksionon në garazha. Unë kërkoj nga themeluesi, që është Kuvendi i Kosovës, të zgjidhë problemin e pronës dhe të objektit”, tha ai.
Në shtator RTK me skemë të re programore
Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati, bëri me dije se kanë bërë një kërkesë për kredi apo garancion nga qeveria për të marrë një kredi. “Është një shumë e madhe për kredi, që do të shfrytëzohet për objekt dhe digjitalizim”, tha ai.
Për programin dhe ndryshimet që do të ndodhin në të ardhmen e afër, Kastrati tha se ka paraqitur një plan. “Unë kam paraqitur një strategji se si do të duket në përgjithësi Radio Televizioni i Kosovës, edhe uebi i RTK-së, po mendoj për ato që shihen. Unë do të vazhdoj punën që e ka bërë drejtori i deritashëm i RTK-së, z.Mentor Shala”, tha ai. Skema e re programore e RTK-së, do të jetë gati në shtator të këtij viti. “Ne do të fillojmë me skemë të re programore në muajin shtator, do të mundohemi të kemi një skemë të re programore. Nuk do të ketë shumë debate, do të jetë një, nuk ka nevojë të ketë debate të jashtme. Do të ketë më shumë programe për të rinj, program për kulturë, rini e sport, do të kemi spektakle gjatë fundjavës, njerëzit do të kenë mundësi të shohin dy orë, tri, katër orë dhe të shohin RTK-në. Edhe sporti do të këtë hapësirë të madhe në RTK, ne kemi të drejtat për shfaqjen e shumë fushave sportive, kemi të drejtat edhe për lojërat olimpike, dje kemi nënshkruar një marrëveshje me KOK”, tha ai.
EBU institucioni më i rëndësishëm, vitin tjetër Kosova pjesë e Eurovizionit
Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati, ka folur edhe për RTK3, që sot prodhon shumë program ditor dhe ka shumë lidhje direkte nga shumë lokacione në vend dhe jashtë. “RTK-ja i ka të gjitha mundësitë, ne transmetojmë, informacioni mbetet shtylla më e besueshme e RTK-së”, tha ai.
Për bashkëpunimin me EBU, Kastrati tha se RTK-ja do të vazhdojë të jetë partnere me të. “EBU është institucioni më i rëndësishëm që ka marrë pjesë deri më tani, RTK vazhdon të jetë vetëm si vëzhguese, mirëpo pavarësisht kësaj RTK respektohet mjaft shumë, edhe për shkak të shikueshmërisë, besueshmërisë e zhvillimit që ka si televizion. Në muajin korrik do të marrim pjesë në mbledhjen e EBU që do të mbahet në Zvicër. Ne besojmë se RTK gjatë këtij viti do të anëtarësohet me të drejta të plota si pjesë e EBU, kurse gjatë vitit të ardhëm presim të jemi pjesë e Eurovizionit”, tha ai.
Media online, media të së ardhmes
Drejtori Kastrati foli edhe për zhvillimin e medias online të RTK-së. “Radio Televizioni i Kosovës (RTK), ka uebin, youtube, instagram, facebook. Këto i kemi në një njësi si Media Online. Këto media, janë media të së ardhmes, ka një rritje të këtyre medieve. Në youtube kemi shikueshmëri të madhe dhe prijmë në këtë drejtim. Uebi ynë RTKlive.com ka shumë mundësi të mëdha, gazetarët tanë aty angazhohen shumë. Edhe Radio ka potenciale të mëdha dhe vazhdon të jetë lidere në vend”, tha Kastrati. Sipas tij RTK ka kerr montazhin që mundëson lidhjen në çdo vend pavarësisht rrjetit të operatorëve telefonik nëse kanë.
Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së Ngadhnjim Kastrati:























