Projektligji për Qeverinë pritet të shkojë në Kuvend para pushimit
BKT
Lajme

Projektligji për Qeverinë pritet të shkojë në Kuvend para pushimit

Departamenti i programeve të Universitetit të Londrës me drejtim akademik nga London School of Economics and Political Science në Kolegjin Riinvest sot mbajti debatin e parë “Talk the talk” ku u diskutua për Projektligjin për Qeverinë.

Në këtë debat morën pjesë Koordinatori Nacional për Reformë Shtetërore, Besnik Tahiri, Agron Demi nga Instituti GAP, Naim Jakaj, këshilltar i Grupit Parlamentar të PSD-së dhe deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku.

Përmes ligjit për qeverinë kërkohet që të bëhet strukturimi apo kufizimi i numrit të ministrive, pastaj të rregullohen kuotat gjinore si dhe të shtohet llogaridhënia.

Agron Demi nga Instituti GAP tha se ka qenë obligim kushtetues që Kosova të ketë ligjin për qeverinë që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Mirëpo, ai shtoi se sa herë po diskutohet për projektligjin për qeverinë dhe për uljen e numrit të ministrave, ato në të vërtetë po shtohen.

Ai kërkoi që një praktike nga koha e UNMIK-ut të përfshihet edhe në ligjin e ri e që e obligon kryeministrin që në rast të rritjes së numrit të ministrive të dalë para Kuvendit dhe të arsyetojë se pse dëshiron të shtojë një ministri të caktuar.

Koordinatori Nacional për Reformë Shtetërore, Besnik Tahiri, tha se për të ngritur propozimet ata kanë marrë modele evropiane të vendeve që janë të ngjashme me Kosovën. Ai shtoi se janë munduar të identifikojnë edhe defektet.

Duke shpalosur propozimet e grupit punues, Tahiri tha se projektligj që është i bazuar në standarde evropiane, adreson në masë të madhe funksionimin e saj. Sipas tij, me ligjin e ri Qeveria në dorëheqje nuk mund të marrë vendime si deri më tani ne lidhje me prokurim, rritje të pagave e të tjera.

Po ashtu, Koordinatori Nacional për Reformë Shtetërore tha se do të propozojnë që funksionarët e lartë të mbajnë vetëm një vend pune, do të saktësohen rastet për parandalimin e konfliktit të interesit, për kabinetet, për numrin e këshilltarëve për kryeministrin dhe ministrat.

Ai tha se ky projektligji pritet të shkojë në Parlament para korrikut, në mënyrë që para se deputetët të shkojnë në pushim në muajin gusht, të kalojë projektligji në kalim të parë dhe të dytë dhe të hyjë në fuqi pas nëntë muajsh.

 

Ndërsa, këshilltari i Grupit Parlamentar të PSD-së, Naim Jakaj, tha se presin që shumë çështje të rregullohen me ligjin e ri, përfshirë edhe ato në lidhje me transparencën dhe llogaridhënien për çdo shpenzim.

Ai tha se duhet të shikohet edhe hapësira kushtetuese që asnjë ministër të mos mund të zëvendësohet pa lejen e kuvendit, shkarkimi po, por zëvendësimi jo. Gjithashtu, ai vuri në dukje edhe përfaqësimin gjinor si një nga çështjet që duhet të rregullohet.


MË SHUME NGA Lajme