​Viktimat e dhunës seksuale kërkojnë drejtësi
BKT
Lajme

​Viktimat e dhunës seksuale kërkojnë drejtësi

Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kërkojnë që kryesit e veprave të ndëshkohen.

Ky është elementi kryesor që do t’u ndihmonte atyre të qetësojnë shpirtin dhe të luftojnë paragjykimet në shoqëri. Këtë e kanë treguar vet viktimat që kanë marrë pjesë në një anketë të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila u publikua të premten në Prishtinë.

Në anketën “Hulumtimi i opinionit të qytetarëve të Kosovës në lidhje me stigmën rreth dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, përveç viktimave, janë përgjigjur edhe një numër i qytetarëve të Kosovës.

Shumë prej qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se viktimat e dhunës seksuale në Kosovë nuk përkrahen dhe vazhdojnë të jenë të paragjykuara në shoqëri.

Madje, sipas tyre, viktimat nuk e kanë as përkrahjen e familjes, në shumë prej rasteve.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se po mundohen që bashkë me institucionet të fuqizojnë viktimat, duke larguar kështu stigmën dhe të gjitha paragjykimet që u bëhen.

Një prej elementeve më të rëndësishme që e kanë paraqitur viktimat në raport me qetësinë shpirtërore ka qenë qasja në drejtësi.

Për viktimat, drejtësia është me e rëndësishme se çdo veprim tjetër që mund të ndërmerret në çështjen e tyre.

Sebahate Pacolli nga KRCT prezantoi raportin e hulumtimit.

Nga hulumtimi ka dalë se 60 përqind e viktimave e ndjejnë vetën me më shumë vetëbesim dhe janë përgatitur për procedurat e aplikimit për njohjen e statusit, pa u frikësuar nga komuniteti.

Qëllimi i hulumtimit ka qenë analizimi i nivelit të vetëdijes së popullatës së Kosovës dhe njohurive që i kanë për gjendjen aktuale te të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe cilat janë nevojat e tyre.

Hulumtimi ka përfshirë shtatë rajone, dhe periudhën janar-mars 2019, me 164 respodentë, dhe është ndarë në dy pjesë, hulumtues të kontraktuar në KRCT  që kanë zhvilluar intervista me qytetarë , dhe ekipi për rehabilitimin e të mbijetuarve i cili ka zhvilluar intervista me të mbijetuarat.


MË SHUME NGA Lajme