Analistët politikë vënë në pikëpyetje mbajtjen e takimit të Parisit
BKT
Lajme

Analistët politikë vënë në pikëpyetje mbajtjen e takimit të Parisit

Bardha Shkreli Radio Kosova

Analistët politikë në Kosovë vënë në pikëpyetje mbajtjen e takimit të Parisit.


Ata thonë se qëndrimet e Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e taksës në fuqi, e zbehin rëndësinë e takimit, edhe nëse ai mbahet. Ndryshe Samiti i Parisit mbahet më 1 korrik dhe është ftuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Ky samit vjen pas atij të Berlinit, ku liderët e të dyja vendeve morën kritika të ashpra nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.


Qëndrimet e Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e taksës në fuqi përkundër kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë për heqjen e saj, do të vënë në pikëpyetje mbajtjen e takimit të Parisit, thonë analistët. Artan Muhaxhiri shpjegon se edhe nëse takimi mbahet, ai nuk do të nxjerrë ndonjë rezultat.

“Kryeministri Haradinaj e kundërshton me këmbëngulësi largimin e taksës, të gjithë aleatët tanë thonë se pa largimin e taksës, nuk mund të ketë vazhdim të dialogut. Kështu që është pak e pritshme që të mbahet Samiti i Parisit, por edhe nëse mbahet nuk do të ketë asnjë efekt nëse nuk ndryshojnë qëndrimet aktuale” 25 sec

Është e palogjikshme që të shkohet në Samitin e Parisit, kur palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, thotë analisti tjetër, Imer Mushkolaj. Së dyti, Mushkolaj thotë se duhet parë nëse Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara që ta kthejnë në binar dialogun Kosovë-Serbi dhe se dialogu të vazhdojë pavarësisht kushtëzimit nga ana e Serbisë me heqjen e taksës.
“Nëse nuk ka përparim në këto dy fusha, atëherë Samiti në Paris mund të mos mbahet fare. Ose ai do të mbahet për të treguar edhe një herë mbështetjen e shteteve të fuqishme të BE-së që janë pro dialogut” 21 sec

Njohësi i rrethanave politike, njëherësh profesor në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki, po ashtu, nuk pret rezultate nga takimi në Paris. Nëse do të ketë ndryshime, ai sheh rrezik se ndryshimet nuk do të jenë në favor të Kosovës, thotë ai.
“Korriku është shumë afër që Franca të jetë gati me një strategji konkrete për Ballkanin, rezultati i zgjedhjeve evropiane ka dalë relativisht keq për presidentin dhe qeverinë këtu, dhe Franca ka vite që është larguar nga dosjet ballkanike , prandaj, nuk pres ndonjë ndryshim drastik. Nëse do të ketë, ka rrezik që ai të jetë në disfavor të Kosovës.”

Franca dhe Gjermania janë në një nguti për ndalimin e rrymave populiste e neo-fashiste në BE, pastaj në nguti për reformim ose frenim të përkeqësimit të situatës brenda BE-së dhe çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohen se duhet të nxirren sa më shpejt në tavolinë. Prandaj, ngutja historikisht ka qenë në disfavorin e Kosovës, thotë Kraki.


MË SHUME NGA Lajme