VIDEO - Keqpërdorimet e auditorit
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, në krye të të cilës nga prilli i vitit 2016 është Besnik Osmani, është përfshirë në shumë skandale e të cilat deri më tani nuk janë shpërfaqur asnjëherë në publik, raporton emisioni “Udhëve” në RTK.
Institucioni që do të duhej të ishte shembull për udhëheqje të mirë dhe menaxhim cilësor të parasë publike ka bërë shpenzime të dyshimta por edhe gradime të personave të caktuar në baza të nepotizmit, si dhe presion për largime nga puna të zyrtarëve të caktuar, ka zbuluar emisioni “Udhëve”.
Një spot prej 4 minuta e 58 sekonda është përgatitur me rastin e 15 vjetorit të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Spoti që është publik në ueb faqen e auditorit të përgjithshën, bashkë me përcjellje të eventit i ka kushtuar ZKA-së rreth 10 065 euro. Mjetet i janë ndarë kompanisë “M 1 Productions” me pronar aktorin Jeton Zogjanin.
Nga kjo shumë, 9150 euro janë ndarë për spotin më të shkurtër se 5 minuta derisa 915 euro tjera janë dhënë po kësaj kompanie si shtesa për përcjellje të aktiviteteve të 15 vjetorit të ZKA-së.
Bashkëshortja e aktorit Jeton Zogiani, Albana Kadriu – Zogiani, punon në Zyrën Kombëtare të Auditimit, prej 01 marsit të vitit 2010.
Keqpërdorimi i parasë publike nga Zyra Kombëtare e Auditorit
Në deklarimin e pasurisë, auditorja Kadriu- Zogiani, deklaron edhe të hyrat e bashkëshortit të saj Jeton Zogiani, nga seriali “O sa mire”, nga TV Click Chanel, dhe nga lokali “Te artisti”.
Aktori Jeton Zogiani, shihet edhe në fotografi në facebook, të shpërndara nga vet Besnik Osmani, në një aktivitet ku disa nxënës shkollash, në bashkëpunim me aktorin vizitojnë ZKA-në e ku atyre u shpjegohet roli dhe rëndësia e auditimit.
Ky aktivitet ka ndodhur disa muaj para se Zogjani të fitonte tenderin për realizimin e spotit për ZKA-në si dhe përcjelljen e aktiviteteve të 15 vjetorit të kësaj zyreje.
Në ZKA thonë se për aktivitetet me fëmijët, Zogjani nuk është paguar. Disa javë pasi është sfiduar me këto çështje Zyra Kombëtare e Auditorit, shefi i këtij institucioni Besnik Osmani ka mbyllur rrjetin social facebook.
Zogiani, aktor i njohur kosovar, i kontaktuar nga emisioni Udhëve, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje para kamerave.
Në një bisedë telefonike ka thënë se bashkëshortja e tij punon vetëm auditore dhe nuk ka mundësi të ndikojë tek shefi i ZKA-së. Ai madje, përmes telefonit, ka thënë se kjo ndërlidhje e ka bërë atë të ndjehet i shqetësuar dhe shantazhuar. Pak a shumë të njejtën përgjigje në lidhje me këtë çështje e ka edhe Imri Semetishti.
Nepotizmi në Zyrën Kombëtare të Auditimit
Familjarët e Besnik Osmanit, nga shoferë janë avancuar në auditorë dhe ata sot bëjnë auditim në institucione të larta të shtetit, përfshirë Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
Besnik Osmani ka gjetur të punësuar në këtë zyrë edhe tezakun e tij, Muharrem Qyqalla.
Ai, në kohën kur Zyra Kombëtare e Auditimit filloi të drejtohej nga Besnik Osmani, ishte duke punuar shofer. Pas ardhjes së Osmanit në ZKA, Qyqalla është emruar auditor.
Emisioni Udhëve në RTK nga nëntori i vitit të kaluar ka bërë një hulumtim të gjerë në lidhje me parregullsitë në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Por, në këtë institucion që është treguar mjaft i mbyllur për publikun, shumica e akterëve të përfshirë në keqpërdorimet që do t’i shpërfaqim, nuk kanë pranuar të flasin para kamerave.
Është udhëheqësi i Zyrës Kombëtare të Auditimit, Besnik Osmani, ai i cili kishte kërkuar që pyetjet t’i dërgoheshin paraprakisht për një intervistë për RTK-në.
Por, i njejti, pasi ka pranuar pyetjet në e mail, përmes zyrtares Qëndresa Mulaj, ka autorizuar që për gradimet dhe punësimet në institucionin që drejton, intervistën për emisionin Udhëve ta japë zyrtari përgjegjës i ZKA-së Imri Semetishti.
Ky i fundit është tezak i zëvendës auditorit Ilir Salihu. Edhe Semetishti është ngritur në pozitë pas ardhjes së Ilir Salihut në këtë pozitë.
“Dihet cila është lidhja familjare nip e dajë, ai është nip I kushërive të mi”, ka thënë Imri Semetishti për Salihun.
Besnik Osmani i ka bërë transfer nga Ministria e Pushtetit Lokal, në Zyrën e Kombëtare të Auditimit tezakut tjetër të tij, Nexhmi Jashanica. Por, ndonëse edhe Jashanica në Ministrinëe pushtetit Lokal, ku Osmani ka qenë sekretar i përhershëm ka punuar shofer, pak javë pasi është transferuar në ZKA, është graduar në Zyrtar i lartë.
Largimet nga puna në Zyrën Kombëtare të Auditimit
Por, prej se Osmani ka ardhur në krye të ZKA, shumë persona janë larguar apo edhe janë detyruar që të lënë punën në ZKA. Zyrtarët që janë larguar për motive të ndryshme nga puna në Zyrën Kombëtare të Auditorit janë: Ilire Buza Daija, e cila në ZKA ka punuar drejtoreshë, Ibrahim Gylderen, ish ndihmës auditor i përgjithshëm, nga minoritetet, Artan Venhari, zv. Auditor i përgjithshëm dhe ish u.d. i auditorit të përgjithshëm derisa në ZKA kishte ardhur Osmani, Bujar Sejdiu, ish Drejtor Departamenti në ZKA.
Emisioni “Udhëve” përmes një shkrese drejtuar znj. Qëndresa Mujaj në ZKA pas intervistës me z. Imri Semetishti, e ka paralajmëruar të njejtën se gjatë intervistës janë përmendur edhe emrat e Z. Ilir Salihu, Z. Muharrem Qyqalla, Z. Nexhmi Jashanica, Z. Besnik Osmani dhe Znj. Albana Kadriu - Zogiani. Mujaj është lutur që me secilin nga këta punonjës të caktoj intervista të ndara që të njejtit të japin opinionin e tyrë në lidhje me çështjet ku emrat e tyre përmenden. Por, nga ZKA më nuk është kthyer asnjë përgjigje në lidhje me kërkesën e emsionit “Udhëve”.























