Brenda disa muajsh tridhjetë ankesa për lajme të rreme
RTKlive
Nehat Islami, drejtor i zyrës së Këshillit për Mediet e Shkruara të Kosovës ka thënë se brenda disa muajve ka pranuar rreth 30 ankesa për lajme të rreme dhe për sulme të pavërteta.
Në magazinën informative "55 Minuta" u diskutua për diskursin publik, gjuhën që përdoret në politikë dhe në media, si dhe ndikimin e saj në krijimin e sistemit të vlerave dhe edukimit të masës. Gjithashtu u diskutua për lajmet e rreme dhe se si mund të mbrohemi nga to.
Të ftuar në këtë emision ishin profesori Sejdi Gashi , gazetarja Arta Berisha dhe Sociologu Albert Mecini.
Sejdi Gashi, autor i hulumtimit shkencor "Gjuha e politikanëve të Kosovës, me theks në gjuhën e deputetëve” e krahasoi gjuhën që përdoret në Parlamentn e Kosovës me atë të Ukrainës, e cila sipas tij është gjuhë me terma fyes dhe gjuhë jo parlamentare.
Gazetarja Arta Berisha tha se duhet të trajtohet më me shumë kritikë gjuha e përdorur nga politikanët, sepse sipas saj nganjëherë është për keqardhje se çka duhet t'i servohet publikut.
E në anën tjetër sociologu Albert Mecini thotë se sensi vulgar i personaliteteve publike duhet të raportohet nga mediat në mënyrë që masa të njihet me ta. Mecini theksoi se jo rrallë herë liria e shprehjes keqkuptohet.
Mes tjerash u diskutua edhe për numrin e madh të portaleve në Kosovë dhe për faktin se shumë prej tyre nuk mbajnë përgjegjësi për atë që shkruajnë dhe se nuk dihet se kush i menaxhon dhe kush është pronar i tyre.
Në "55 Minuta", u transmetua edhe një intervistë me profesorin e Komunikologjisë në Maqedoni, Milaim Fetahu.























