Departamenti i Gazetarisë në UP së shpejti me Media-laborator
BKT
Lajme

Departamenti i Gazetarisë në UP së shpejti me Media-laborator

Pajtim Çuni

Në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, shumë shpejt do të funksionalozohet Media-laboratori. Ky është një donacion i përfituar nga Ambasada Amerikane, ndërsa studentëve dhe stafit akademik do t’i shërbejë për konkretizimin e teorisë në praktikë, nëpërmjet teknologjisë moderne që është vendosur në të.

Studentët aktualë dhe ata që këtë vit do të regjistrohen në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, me fillimin e vitit të ri akademik do të kenë më shumë mundësi për konkretizimin në praktikë të teorisë që mësojnë, në kuadër të plan-programit të studimeve.          Kjo do të bëhet në Media-laboratorin modern, që së shpejti pritet të funksionalizohet. Në lidhje me këtë, më shumë detaje për Radio Kosovën dha Alban Zeneli, asistent në këtë departament.

 “E rëndësishmja e Media-laboratorit është se ky është një sistem i ndërlidhur mes vete. Ka kabinën e regjisë, kamerat e studios, vendin ku incizohet zëri dhe po ashtu ka edhe një kabinë të vogël për editim dhe montazh. Krejt kjo do t’i ndihmojë studentët që të jenë më të përgatitur për teknologjinë dhe tregun e punës”, tha ai.

Alban Zeneli, që asiston në lëndët Gazetari televizive dhe Radiogazetari, thotë se ideja dhe nevoja për një Media-laborator ishte e kamotshme, por kjo u bë realitet vetëm falë një granti të fituar.

 “Tash një vit kemi aplikuar në kuadër të granteve që i ndan Ambasada Amerikane, për ndihmesë në kuadër të universiteteve në Kosovë. Kemi fituar këtë grant vlera e të cilit ka qenë pak më shumë se 22 mijë dollarë, e me të cilin ne kemi kërkuar të na blejnë pajisje, me qëllim që t’ua mundësojmë studentëve tanë që të praktikojnë punën e gazetarisë”, pohoi Zeneli.

Zeneli, i cili menaxhon projektin e Media-Laboratorit, pohon se me funksionalizimin e tij do të fillojë një fazë e re e punës në Departamentin e Gazetarisë, studentët e të cilit dominojnë me punësime në tregun medial në Kosovë.

Në Departamentin e Gazetarisë, edhe në të kaluarën kishte disa pajisje që ishin në shërbim të studentëve, por që me kalimin e kohës ishin vjetruar e amortizuar. Krijimi i Media-Laboratorit është mbështetur edhe nga rektorati i Universitetit të Prishtinës, i cili ka ndarë mjete për renovimin e hapërirave për këtë laborator.


MË SHUME NGA Lajme