Kosova ka rrugën e hapur për medalje në Festivalin Olimpik në Baku
18 sportistët e Kosovës pritet të kthehen me medalje nga Festivali Olimpik “Baku 2019” që këtë vit mbahet në Baku të Azerbajxhanit nga data 20 deri 28 korrik.
Kështu u tha në një konferencë për media të Komitetit Olimpik të Kosovës, ku u prezantua ekipi prej 18 sportistësh, prej tyre 10 femra dhe 8 meshkuj.
Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, tha se është e rëndësishme që në këtë festival olimpik që po mbahet në një vend që ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, kjo e fundit po prezantohet e barabartë sikurse vendet e tjera.
Trajneri Ziber Gjoni bëri të ditur se është bërë përgatitja e të gjithë sportistëve, që sipas tij do të mundësojë rezultate mbresëlënëse.
Sportisti Muhamet Ramadani që do të përfaqësojë Kosovën në atletikë, gjegjësisht në disiplinën e hedhjes së diskut dhe gjyles, u shpreh i lumtur që do të marrë pjesë në festival.
Edhe Vesa Gjinaj, e cila përfaqëson Kosovën në tenis, tha se beson që do të kthehen me medalje.
Ndryshe, Kosova në Festivalin Olimpik “Baku 2019” do të garojë më 18 sportistë në 5 sporte të ndryshme.
Nga Federata e Xhudos, vendi do të përfaqësohet nga Erza Muminoviq, Fationa Kasapi dhe Festim Beqiri, të tre këta me trajner Fatos Tabakun; në fushën e atletikës vendi do të përfaqësohet nga Muhamet Ramadani, Leon Thaçi, Albina Bojaxhiu dhe Diellza Selaci, me trajner Xhavit Tahirin.
Në mundje vendi do të përfaqësohet nga Urim Qili dhe Njomëza Krasniqi me trajner Ziber Xhonin; në not do të garojnë Vigan Bytyqi, Olt Kondinolli, Hana Fejzullahu, Jona Macula dhe Elona Zhugolli me trajner Ardian Hamitin ndërsa janë sportistët Melos Nallbani Fresk Sylhasi, Vesa Gjinaj dhe Forta Morina, që të shoqëruar nga trajneri Festim Ibrahimi, do të përfaqësojnë Kosovën në tenis.























