Haxhiu: Mbyllja e universiteteve shqetësuese, po bëhet biznes
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu e cila është edhe nënkryetare e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës ka thënë se me arsimin e lartë në Kosovë po tentohet të bëhet biznes në dëm të qytetarëve të varfër.
Haxhiu në RTV Dukagjini, ka thënë se universitet publike u themeluan me votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“E kam mbrojtur vendimin për themelimin e këtyre universiteteve sepse një student nga një fshat i Gjakovës e ka mundësinë që me 50 cent të shkojë në Gjakovë, Pejë apo Prizren për të studiuar dhe nuk e ka luksin sikur fëmija im apo i ndonjë deputeti për të shkuar në kolegje private”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Ajo ka thënë se mbyllja e këtyre universiteteve është shumë shqetësuese duke e konsideruar si hap të ngutshëm.
“Në Kosovë bëhet biznes me arsimin e lartë. Biznesin e bëjnë ata që kanë mjete materiale. Ata që nuk kanë mjete, janë të diskriminuar në arsim”.























