`Unë besoj në teatër` - Bekim Lumi
BKT
Kulturë

`Unë besoj në teatër` - Bekim Lumi

RTKlive

Me rastin e njëvjetorit të shkuarjes në amshim të regjisorit të mirënjohur, profesorit universitar, Bekim Lumi, organizohet manifestim përkujtues me moton “Unë besoj në teatër”.

Me këtë rast, përveç pikave artistike përkujtimore, do të bëhet edhe përurimi i veprës studimore të Bekim Lumit me titull “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (Një studim krahasues i tragjedisë  Makbethi të William Shakespeare-it në kontekst me kodin zakonor shqiptar , Kanuni i Lekë Dukagjinit).

Manifestimi mbahet ditën e martë, datë 30 korrik 2019 në Teatrin Kombëtar të Kosovës me fillim në ora 19:00.

Bekim LUMI (1966-2018) ishte regjisor i mirënjohur i teatrit nga Kosova. Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe Regji Teatri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Ishte themelues dhe drejtor artistik i Teatrit Laborator “Loja”. Puna e tij krijuese dallohej për idetë dhe stilin minimalist, për vizionin kreativ alternativ, dhe lojën skenike eksperimentale e jokonvencionale. Ka bërë regjinë e një sërë shfaqjesh teatrale të bazuara ndër të tjera në tekstet e Eugene Ionesco-s, Bertold Brecht-it, William Shakesperare-it, Federico Garcia Lorca-s, Bernard Marie Koltes, etj, të inskenuara në Teatrin Laborator “Loja”, Teatrin “Dodona” dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës. Me shfaqjet si: “Mësimi”, “Çifti Martin”, “Dilerat”, “Këmisha e gjakut”, e “Arturo Ui”, Lumi u paraqit në festivale të shumta teatrore, ndërkombëtare dhe regjionale, duke u shpërblyer me një numër çmimesh për teatër. Përveç punës regjisoriale, ai ishte themelues, botues dhe kryeredaktor i Revistës për Teatër “LOJA”, e cila u botua gjatë viteve 2006-2010 në Kosovë. Nga vitit 2002 ishte ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Për shfaqjen e tij të fundit “Arturo Ui”, Lumi u shpërblye me çmimin “Regjia më e Mirë e Vitit” nga Ministria e Kulturës e Kosovës.

 

 


MË SHUME NGA Kulturë