Haradinaj insiston në zgjedhje, kërkon shpërbërjen e Kuvendit
BKT
Lajme

Haradinaj insiston në zgjedhje, kërkon shpërbërjen e Kuvendit

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj pas dorëzimit të kërkesës për interpretim të dorëheqjes në Gjykatën Kushtetuese, deklaroi se Kosova nuk duhet të humbë asnjë ditë më shumë për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja, teksa nuk e ka mohuar si mundësi të përdorin edhe shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Ai në një konferencë për media bëri të ditur se gjatë ditës së nesërme do  t’i ftojë në takim për të diskutuar për situatën politike kryetarin e PDK-së Kadri Veseli dhe atë të Nisma, Fatmir Limaj, teksa ironizoi se do të flasin dhe për “ngrohjen globale”.

Haradinaj theksoi se janë në pritje të thirrjes së presidentit Hashim Thaçi për konsultat me partitë politike për datën e zgjedhjeve, derisa bëri dhe thirrje që mos të zvarritet si proces.

Për mos diskutimin me liderët e  tjerë institucional për dorëheqjen e tij, Haradinaj tha se pavarësisht kësaj njoftimin për këtë e ka bërë në vendin dhe kohën e duhur.

Ai theksoi se vendimi për dorëheqje nuk ka qenë kalkulim politik, por për të forcuar pozitën e Kosovës.

Për kërkesën për interpretim të dorëheqjes në Gjykatën Kushtetuese,  Haradinaj u shpreh se është bërë për të qartësuar pozitën e tij, teksa tha se nuk ka asnjë interes që të kthehet në zyrat e të parit të Qeverisë, por shkon pasi mban përgjegjësi për t’iu shmangur vakumit institucional.

Në cilësinë e të parit të AAK-së, Haradinaj tha se si parti momentalisht pritet të garojnë vetë në zgjedhjet e reja, por nuk e mohoi që të lidhë ndonjë koalicion parazgjedhor me parti tjera.


MË SHUME NGA Lajme