NISMA i dorëzon nënshkrimet e deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka njoftuar se i ka dorëzuar nënshkrimet e deputetëve për mbajtjen e seancës së caktuar për 22 gusht për shpërndarjen e legjislaturës së VI dhe votimin e marrëveshjes së IPA.
Sherifi në Facebook ka shprehur bindjen se Nisma Socialdemokrate në legjislaturën e ardhshme do të përfaqësohet me më shumë se 10 deputetë.
‘Në këtë seancë të fundit deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të votojnë marrëveshjen ndërkombëtare të IPA-s që i sjell shtetit rreth 90 milionë euro nga BE-ja si dhe për shpërndarjen e legjislaturës së VI. Shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, me bindje të plotë se në legjislaturën e VII, NISMA Socialdemokrate do të jetë e përfaqësuar me 10+deputet!’, ka shkruar Sherifi.
Kujtojmë se nënshkrimet e deputetëve për mbajtjen e seancës së caktuar për 22 gusht për shpërndarje të Kuvendit i kanë dorëzuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe NISMA.























