Policia shton praninë në afërsi të shkollave
Policia e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media lidhur me sigurinë në trafikun rrugor, ku janë dhënë detaje rreth aktiviteteve dhe masave që do të ndërmerren me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Jeton Rexhepi, ka bërë të ditur se me rasin e fillimit të vitit të ri shkollor, do të ketë prezencë të shtuar të policisë nëpër rrugë, sidomos në afërsi të shkollave.
“Sa i përket masave që kemi ndërmarrë në bashkëpunim me organet tjera përkatëse, Policia e Kosovës qysh në maj ka hartuar të gjitha planifikimet për muajin shtator. Në muajin shtator do të kemi një siguri më të madhe në trafikun rrugor”.
“Do të ketë prezencë të shtuar të Policisë sidomos në afërsi të shkollave. Po ashtu janë paraparë edhe ligjërata që do të zhvillohen në teori dhe praktikë me nxënës. Instruktorët së bashku me fëmijët do t’i praktikojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor”.
“Kërkojmë nga prindërit që t’u kushtojnë më shumë kohë fëmijëve të tyre dhe t’i mësojnë për rregullat e trafikut rrugor. Duhet të jenë të kujdesshëm se si po veprojnë vet prindërit – të jenë model i respektimit të rregullave të trafikut rrugor”.
“Në gjithashtu kërkojmë që të vendoset rripi i sigurisë. Policia e Kosovës do të jetë e pranishme jo vetëm në afërsi të shkollave, por edhe në rrugët tjera lokale dhe rajonale”.























