Mogherini: Pranimi në BE i Ballkanit Perëndimor, interes i pastër i yni
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini i kërkoi BE-së të ruajë një prani të fortë në Ballkanin Perëndimor, pasi vetëm kështu mund të përmbushej objektivi i qartë i anëtarësimit të rajonit në union.
“Jam e bindur se, nëse s’e bëjmë këtë, pas disa vitesh do të pendohemi”, theksoi Mogherini.
Në fjalimin e saj, gjatë konferencës së përvitshme të ambasadorëve të BE, në Bruksel, ajo vlerësoi se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është çështje e riintegrimit të të gjithë kontinentit europian dhe është e nevojshme si për Ballkanin, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.
“Ne e kemi bërë të qartë interesin tonë për pranimin në BE të të gjithë Ballkanit. Që të gjithë e dimë se bëhet fjalë për një proces të gjatë, të ndërlikuar dhe po aq interesant e aktiv, që do të kërkojë shumë kohë, zgjidhje problemesh, angazhim politik të të gjitha palëve si edhe vendosmëri”, deklaroi Mogherini.























