Radiodokumentar për Tomorr Berisha-kompozitor
‘Muzika është zbulimi më I madh nga të gjitha dituritë dhe përsiatjet filozofike’. Është kjo një thënie e njohur e Ludvig Van Bethoven të cilën e përdor shumë shpesh edhe personazhi kryesor I këtij radiodokumentari, kompozitori kosovar, Tomorr Berisha.
Por, ndryshe, muzika thonë se është edhe gjuha ndërkombëtare e botës. Ajo përdor të njëjtat shkronja dhe njëjtë lexohet çdokund. Janë 7 nota melodike me anë të së cilës ata që e kanë fatin të kenë atë dhunti na dhurojnë ne dëgjuesve tingujt më të bukur që ne i dëgjojmë. Tinguj këta të quajtur muzikë, apo vijë melodike.
Muzika është gjuha ndërkombëtare e botës. Kështu pra, shprehet Tomorr Berisha I lindur në Prishtinë më 7 shtator të vitit 1948, për atë që e krijoi pothuajse tërë jetën e tij.
Tomorri, shkollimin e parë 4 vjeçar për muzikë e morri në Prizren. Kreu akademinë muzikore në Beograd, për tu ri-kthyer në vendlindje më 1972, kur edhe u punësua Radio Televizionin e Prishtinës, në produksionin muzikor si anëtar I orkestrës zbavitëse, në rolin e pianistit.
Kënga e parë e komponuar nga Tomorri ishte ‘Adriatiku’ me tekst të Fitim Domit në vitin 1965. Ndërsa, këngën e parë për festival e komponoi në vitin 1968, të interpretuar nga Sabri Fejzullahu.
Aranzhmanin e parë e bëri për këngën ‘Bukuroshja’ në vitin 1974, të cilën gjithashtu e këndoi Sabri Fejzullahu.
Tomorr Berisha punoi për shumë vite edhe si ligjërues në shkollën e muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë.
Disa nga hitet më të mëdha që Berisha krijoi janë: Qobaneshë, interpretuar nga Bedri Islami, Kendo Kendo-Liliana Cavolli, Bukuroshja dhe VAsha pranë lumit, Sabri Fejzullahu, këngët për Teutën, pastaj Ditët e Kurorëzimit të interpretuar nga Elife Podvorica e Nysret Muqiqi, Vendlindja ime nga Gazmend Pallaska e shumë tjera.
Krijimet e Tomorr Berishës, kanë kaluar edhe kufinjët e Kosovës. Ai ka komponuar dhe është vlerësuar jashtë mase edhe në shtetet tjera që në atë kohë ishin pjesë përbërëse e federatës Jugosllave.
Tomorr Berisha ishte reprezentuesi më I sukses’shëm nga Kosova jashtë vendit si në festivalet; ‘Opatija” Kroaci , Kënga e Eurovizionit”, ‘ Ilixha’ Sarajevë, “Pranvera’ në Beograd, e në festivale të tjera si ato në Shkup, Suboticë , Nish etj. Ai bashkëpunoi me emra e grupe të njohura të asaj kohe si me Trubadurët e Dubrovnikut, Bisera Velletanlliqin, Zoran Llekoviqin, Sllave Dimitrovin, Tamara dhe Nenad Pavlloviqin, Zafir Haxhimanovin etj.
Tomorri është gjithashtu laureat I shumë çmimeve të rëndësishme, sidomos në festivalin tradicional, Akordet e Kosovës. 4 okarina të arta, shumë çmime të publikut, shpërblime të jurisë profesionale, mirënjohje, pllaketa etj.
Tomorr Berisha është marrë edhe me përpunime të këngëve për korë 4 zërësh, për kuartet harkor, kuartet frymor etj.
Tomorr Berisha është I martuar me Teutën dhe kanë tre djem, Poliniku- saksofonist, Roberti muzikant dhe Patrisi-perkusionist.
Tomorri shkroi e lexoi notat muzikore si ndër më të rrallët e epokës së tij. La pasuri të madhe në botën e bukur të muzikës. Ishte dhe mbetet sinonim I muzikës së lehtë të disa dekadave, kur kjo muzikë ishte në kulmin e saj në vend. Për këtë, emri I tij, do të shkruhet me shkronja të arta në historikun e Kosovës.
Radiodokumentarin e plotë punuar nga Afërdita Rushiti mund ta dëgjoni në linkun e mëposhtëm
https://www.youtube.com/watch?v=MEVUJPokJDo
Autore: Afërdita Rushiti























