Millunoviq: Nuk dëshiroj bashkim me të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit
Iniciativa qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia-Oliver Ivanoviq” ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës në kuadër të “Listës Serbe-Aleksandar Vuçiq". Megjithatë, dy këshilltarë të kësaj iniciative qytetare thonë se ky është një vendim personal i Ksenija Bozoviqit, por jo edhe i anëtarëve të kësaj Iniciative.
"Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Iniciativa qytetare SDD ka vendosur të marrë pjesë me subjektet tjera politike që do të jenë në listën ‘Lista Serbe - Aleksandar Vuçiq’. Ne jemi të mendimit që serbët në Kosovë dhe Metohi në këtë kohë kanë nevojë për unitet, përkrahjen e shtetit të Serbisë për mbijetesë dhe ruajtje të interesave kombëtare dhe shtetërore ", thuhet në njoftimin për media të Iniciativës qytetare SDD .
Disa orë më vonë, këshilltarët e kësaj Nisme Qytetare në Asamblenë Komunale të Mitrovicës së Veriut, Igor Rajçiq dhe Dushan Millunoviq, në një deklaratë, kanë thënë se ata distancohen nga ky vendim I Ksenija Bozhoviqit e cila, siç theksojnë, ka kaluar në radhë e Listës Serbe dhe në këtë mënyrë ka tradhtuar interesat e Iniciativës Qytetare, të këshilltarëve të kësaj iniciative dhe të gjithë atyre që luftojnë për gjetjen e vrasësit të Oliver Ivanoviqit.
Dushan Millunoviq, , ka thënë për Zërin e Amerikës se nuk dëshiron të jetë me Listën Serbe sepse nënkryetari I kësaj Liste dyshohet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Sipas tij, vendimi i Ksenija Bozoviqit është i turpshëm.
"Unë nuk dua të jem pjesë e historisë së koalicionit me Listën Serbe sepse nënkryetari i Listës Serbe (Millan Radojiçiq) dyshohet se e ka vrarë liderin tonë Oliver Ivanoviq. Autoritetet përkatëse duhet të bëjnë punën e tyre, dhe ne do të insistojmë në të vërtetën, cilado qoftë ajo”, ka thënë Milunoviq.
Millunoviq theksoi se gjatë ditëve të fundit ka pasur bisedime brenda Iniciativës qytetare SDD-Oliver Ivanoviq për kalimin në Listën Serbe, por vendimi, siç tha ai, është marrë në mënyrë të pavarur nga Ksenija Bozoviq, nënkryetarja e kësaj Nismë Qytetare.























