Lluka: Ndërprerja e kontratave të dëmshme ndikoi pozitivisht
Valdrin Lluka, ministër në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, tani përfaqësues nga radhët e koalicionit, Nisma Socialdemokrate, me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe Partinë e Drejtësisë (PD), tha se taksapaguesit kanë raportuar më shumë të hyra dhe kjo është përkthyer në përmirësimin e gjendjes në ekonomi, e sidomos në punësim.
Lluka rreshtoi se çka është bërë gjatë mandatit të tij si ministër duke pohuar se ka patur rritje të investimit të kapitale.
“Bilanci tregtar është më i mirë se që ka qenë, sektori i teknologjisë informative është forcuar. Numri i të punësuarve është ngritur për 3 mijë veta. Ndërprerja e kontratave të dëmshme ka rezultuar poashtu pozitivisht në ekonomi” tha ai sonte në emisionin “Debat”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas tij raportuesi i Parlamentit Evropian ka thënë se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave.
“Sa i përket pjesëve tjera, ne e dimë se ku ka korrupsion e krim ekonomik, investimet e huaja do të mungojnë. Prandaj të gjithë duhet t'i luftojmë këto fenomene, në vazhdimësi”, tha ai pos tjerash.























