Veseli:Sa më e fortë është Kosova aq më e dobët është Serbia
BKT
Lajme

Veseli:Sa më e fortë është Kosova aq më e dobët është Serbia

Zgjedhjet e 6 tetorit janë referendum për të ardhmen e vendit, ku qytetarët do të vendosin se a do të ketë një qeverisje bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo do të ketë një koalicion i cili sjell izolim.

Kështu ka deklaruar kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës Kadri Veseli, i cili në Lipjan tha se një koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes do të sillte më shumë izolim, do të thellonte varfërinë dhe korrupsionin.

Veseli tha se qytetarët duhet të bëhen bashkë për një fitore të PDK-së, pasi sipas tij, vetëm kështu sigurohet se vendi do të ec përpara.

Veseli në Lipjan tha se në qeverisjen e tij do të përkrahin në mënyrë të veçantë të rinjtë, fermerët, ndërmarrësit dhe punëtorët shëndetësor.

Ai tha se nuk duhet të vetëkënaqen, por që duhet të bëhen edhe më shumë bashkë që ta ruajnë Kosovën që pas 6 tetorit të jetë bashkë me ShBA-në.

Edhe në Lipjan u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen për një Kosovë më të fortë, pasi sipas tij, sa më e fortë është Kosova aq më e dobët është Serbia.

Ndërkaq, kryetari i degës së PDK-së në Lipjan, Hyzer Rizani, u shpreh se të gjithë qytetarët në Kosovë po përkrahin dhe po e besojnë Partinë Demokratike të Kosovës, pasi sipas tij, ata kanë besim në kandidatin e tyre për kryeministër Kadri Veseli.

Kandidatët për deputet nga Lipjani në listën e PDK-së janë Egzona Bytyqi, Selvije Halimi, Ramë Buja dhe Fitim Selimi.


MË SHUME NGA Lajme