VIDEO: Siguria nacionale e shtetit hallka më e rëndësishme
Siguria nacionale përben hallkën me të rëndësishme dhe më të ndjeshme të funksionimit të një shteti.
Si qëndron Kosova në raport me sigurinë nacionale dhe sa ka siguri mbikëqyrje, si funksionojnë hallkat e sigurisë e sistemit dhe sigurisë nacionale u diskutua sonte në “Debat’ në Radio Televizionin e Kosovës me Fatmir Xhelilin nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhelal Sfeçlen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Fatmir Xhelili tha se Partia demokratike ka tradite në realizimin e aktiviteteve, detyrave dhe objektivave për me qenë funksionale hallkat e sistemit të sigurisë.
“Për herë të parë kur kemi marrë qeverisjen kemi kontribuar në tranzicionin e kompetencave prej policisë së UNMIK-ut dhe segmenteve tjera të brendshme në drejtim të kompetencave të sigurisë të institucioneve tona për me qenë më të gatshme në drejtim të realizimit të objektivave për të cilat edhe këto instrumente të shtetit ndërtohen”, tha Xhelili.
Ai tha se disa prej strukturave janë zhvilluar dhe janë funksionale dhe kompetente për me ofruar siguri, posaçërisht për strukturat kompetente për siguri publike siç është policia e Kosovës, u ngrit cilësia në menaxhimin e emergjencave civile.
“Kurse sa i përket sigurisë nacionale këtu kemi KFOR-in”, tha Xhelili.
Kurse XHelal Sfeçla tha se ka pasur raste kur ka munguar koordinimi.
“Kryeministri nuk ka qenë në dijeni as për arrestimin në veri e as për dëbimin e turqve”, tha Sfeçla.
Ai tha se afati prej 10 vitesh për krijimin e ushtrisë është i gjatë dhe duhet të shkurtohet në 4 vjet, nëse shtojmë buxhetin kjo mund të ndodhë.
Sfeçla shtoi se NATO nuk insiston me afate, as në afatin 10 vjeçar,insiston në parapërgatitjet e nevojshme.
“VV planifikon 400 milionë euro për ushtrinë, nga 100 milionë euro në vit”, tha Sfeçla.
Ndërsa Gashi tha se siguria në kohët moderne është më komplekse dhe mund të ndikojë ndryshe në vend.
“Krahas terrorizmit Kosova është e rrezikuar mesatarisht edhe nga fatkeqësitë natyrore si tërmetet”, tha Gashi.
Ai tha se nga aspekti i sigurisë publike, duhet të krijohen kushtet për mbrojtjen e pronës, por edhe për funksionimin e sigurt të bizneseve, pastaj siguria në trafik është problematike poashtu.























