Veseli: Kosova do të ketë në krah edhe më fort Amerikën
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ish Kreu i Drejtësisë së Administratës Trump, Matthew Whitaker, kanë mbajtur një tubim me mijëra qytetarë në Gjilan.
“Falemnderit, Matt! Mbështetja dhe prania juaj sot këtu me ne është shumë domethënëse. Ashtu siç është frymëzues edhe ky entuziazëm këtu në Gjilan dhe në tërë Kosovën për fitoren tonë, fitoren e Partisë Demokratike, fitoren e Kosovës”, ka thënë Veseli.
Lideri i PDK-së ka thënë se Amerika ishte gjithmonë në anën tonë, në kohë të vështira të luftës dhe në momente historike të pavarësisë.
“Amerika ishte gjithmonë këtu! Duke ecur krah për krah me ne. Duke na ndihmuar në rrugëtimin tonë. Dhe sot, presidenti Donald Tramp, është një mik i vërtetë i Kosovës. Raporti mes Kosovës dhe Amerikës është më shumë sesa një lidhje mes dy shteteve të zakonshme. Është raport mes dy idealeve dhe dy vlerave të jashtëzakonshme. Amerika është një fuqi e bazuar në liri dhe demokraci dhe ne kemi vlera të përbashkëta me të. Për këtë arsye, Amerika do të na mbështesë dhe do të qëndrojë pranë nesh. Dhe ne duhet ta ruajmë këtë miqësi e partneritet! Ne nuk duhet të bëjmë asgjë që do ta rrezikonte aleancën më të rëndësishme strategjike në historinë e Kosovës. Prandaj, këto janë zgjedhje kritike për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Veseli.
Më 6 tetor, Veseli ka thënë se qytetarët duhet të zgjedhin midis një Qeverie që e udhëheq PDK-ja, e cila do ta forcojë partneritetin me Amerikën dhe Bashkimin Europian, dhe së bashku me ta – do ta fitojmë luftën kundër korrupsionit, do ta zhvillojmë ekonominë, do t’i mbajmë të rinjtë këtu dhe të ofrojmë shpresë dhe një të ardhme.
Ose, për alternativen tjetër, ai ka thënë se është një koalicioni të izolimit, korrupsionit dhe përçarjes.
“Para nesh qëndron një moment kthese historike. Për t’u dhënë fund dilemave, ndarjeve dhe për t’i dhënë udhë shpresës, bashkimit, të ardhmes. Dhe 6 tetori është shans që nuk guxon të humbet! Me mua Kryeministër, Kosova nuk do t’ia mbyllë derën miqve tanë perëndimorë. Por, do të punojë edhe më fuqishëm me ta, për të mirën e Kosovës, për të mirën e partneritetit. Amerika është aleati ynë më i fortë. Është mbrojtësi dhe mbështetësi ynë më i madh. Amerika është e shenjtë për ne! Dhe e ardhmja e Kosovës do të jetë më e mirë dhe më e sigurt me një mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Veseli.
Veseli: Luftimi i korrupsionit është prioritet, për Presidentin Trump, për Kosovën
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, para ish-ministrit të Donald Trumpit dhe mijëra qytetarëve në Gjilan, ka folur edhe për luftën në Kosovë dhe mbështetjen amerikane.
“Në vitin 1999, unë e kam parë me sytë e mi shpresën që lindi te populli ynë, si rezultat i bashkëpunimit tonë me NATO-n dhe Amerikën. Së bashku, ne shpëtuam jetë, u dhamë shpresë njerëzve, e çliruam Kosovën. Ne duhet ta fuqizojmë këtë partneritet sikur ato ditë të vitit 1999. Ne duhet të shkojmë drejt një rruge partneriteti të aleatëve që ecin së bashku drejt një të ardhme më të mirë. Unë do të bëj këtë! Ky është misioni im! Unë do ta mbroj Kosovën. Unë do t’i ndryshoj prioritetet e Qeverisë. Të rinjtë po na largohen nga vendi, por unë do t'i jap fund kësaj. Qeveria që do ta drejtoj unë, do të investojë shumë te të rinjtë, në idetë e tyre krijuese”, ka thënë Veseli.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se ashtu si u dhashë atyre një shans në partinë time dhe ata bënë gjëra të mrekullueshme, ashtu do t'u ofroj të rinjve tanë mundësi reale për të pasur sukses, për të jetuar dhe punuar këtu.
“Qeveria që do ta drejtoj unë, do ta luftojë korrupsionin dhe nepotizmin, do ta zhvillojë ekonominë, do të krijojë vende pune të qëndrueshme dhe do të ofrojë të ardhme për të rinjtë tanë që të qëndrojnë këtu. Korrupsioni është shqetësim global dhe luftimi i tij është prioritet absolut. Edhe për Presidentin Trump. Edhe për NE në Kosovë. Siç e tha edhe miku ynë, Matt Whitaker, një personalitet i respektuar që ka udhëhequr në nivelin më të lartë sistemin amerikan të drejtësisë, për këtë duhen vepra dhe jo fjalë!”, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se pikërisht këtë do ta bëj, duke vepruar fuqishëm kundër korrupsionit dhe për këtë ka plan të qartë dhe konkret.
“Qeveria e kryesuar nga unë, nuk do të funksionojë e vetme. Ne do t'i bëjmë gjërat së bashku me aleatët tanë, sepse e kuptojmë që së bashku jemi më të fortë. Ne do ta ndërtojmë të ardhmen së bashku! Së bashku me Amerikën, lufta jonë kundër korrupsionit do të jetë më e fortë! Së bashku me Amerikën, ne do të jemi në gjendje ta zhvillojmë ekonominë tonë më shpejt! Do të përkrah ndërmarrësit dhe inovatorët e rinj, do të legalizoj pronat, do të mbështes familjet e dëshmorëve dhe veteranët, do të rris pensionet. Do t’i avancojmë universitetet tona dhe sistemin arsimor. Do ta përmirësojmë më tutje sistemin shëndetësor”, ka thënë Veseli.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Kadri Veseli, ka thënë se së bashku me Amerikën, Kosova është është më e fortë, më e sigurt në rrugën e saj të suksesit.
Së bashku me Amerikën, Veseli ka thënë se ne do ta fitojmë ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe do ta ruajmë sovranitetin e integritetin territorial dhe institucional të Republikës së Kosovës.
“Secili qytetar do ta ndjejë këtë bashkëpunim. Unë mund ta ndërtoj këtë partneritet! Ne, bashkë, mund ta bëjmë këtë. Ne, bashkë, do t’ia japim drejtimin e duhur Kosovës. Ne kemi vizionin. Ne kemi guximin. Ne kemi planin. Ne kemi ekipin. Ne kemi partnerët perëndimorë. Dhe, po, Kosova do të ketë në krah edhe më fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Veseli.
Lideri i PDK-së ka thënë se të ardhmen do ta bëjmë më të mirë, përmes vendimeve të guximshme.
Me vendime që do ta ndryshojnë jetën tuaj, Veseli ka thënë se do ta rrisin krenarinë për shtetin dhe dashurinë për atdheun.
“Prandaj, bashkohuni me ne në këtë rrugë. Dhe bashkë do ta ndërtojmë të ardhmen: për ty dhe shtetin. Më 6 tetor, votoni për Partinë Demokratike të Kosovës, sepse kjo është shtëpia ku bëhen bashkë të guximshmit, të drejtit dhe miqtë e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës është parti që formëson të ardhmen, me karakter dhe guxim”, ka thënë Veseli.
Dhe së bashku me Presidentin Trump, së bashku me Amerikën, së bashku me miqtë tanë evropianë, Veseli ka thënë se do ta ndërtojmë të ardhmen e sigurt në Kosovë.























