Kurti para simpatizantëve: Dua të bashkëpunoj me Vjosën
BKT
Lajme

Kurti para simpatizantëve: Dua të bashkëpunoj me Vjosën

Lëvizja Vetëvendosje e ka festuar pas mesnate me simpatizantët e saj fitoren në zgjedhjet e parakohshme në sheshin Skënderbe.

Fillimisht nënkryetari i këtij subjekti, Glauk Konjufca, ka thënë se fitorja në zgjedhjet e 6 tetorit është fitore e popullit të Kosovës dhe e krejt shqiptarisë. “Këtu në Kosovë ka pasur edhe parti tjera që i kanë fituar zgjedhjet, por me fituar pa e shpërnda asnjë terminal, pa e shti askënd  në punë me të njohshëm, pa e qel asnjë konkurs, pa ja dhanë askujt asnjë tender, këtë veç Vetëvendosja mundet me arrit. Kësaj i thonë fitore përnjëmend”, ka theksuar Konjufca, i cili theksoi se VV i përkulet popullit të Kosovës për këtë fitore.

Ndërkohë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti para masës së simpatizuesve ka thënë se 6 tetorit i vitit 2019 e shënon fillimin e entuziazmit të tretë në vendit tonë dhe për popullin tonë. “Entuziazmi i parë ishte ai i qershorit të vitit 1999 kur u çlirua Kosova, entuziazmi i dytë ishte shkurti i vitit 2008 kur u shpall pavarësia dhe tash tetori është entuziazmi i tretë, që do ta forcojë republikën tonë e do t’i japë hov zhvillimit e barazisë për të gjithë juve. Ju sot keni votuar për ta shpëtuar shtetin tonë nga kapja e që s’lejuan që drama e kapjes të ketë fund tragjik. Hapim kapitull të ri me faqe të bardhë e zemër të ngrohtë. Në qeverisjen tonë, s’ka hajna. Hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen e dënohen kudo që janë. Me qeverisjen tonë nuk ka më hajna në qeveri e institucione, por me shtetin e së drejtës hajnat do të gjykohen, hetohen edhe në shoqëri e kudo që janë. Jeta e ndershme do të jetë e kollajshme, e jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë”, ka shtuar Kurti.

Ai ka falënderuar edhe kundërkandidatët, e në veçanti kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani, duke theksuar se dëshiron që pikërisht me atë të bashkëpunojë në të ardhmen në qeverisjen e vendit.

“Edhe ata që kanë sulmuar, vec na kanë kalitur në këtë fitore të madhe. Edhe kundërshtarët e mi në këto zgjedhje i falëndëroj për konstruktivitetin. Në veçanti dua ta falëndërojë zonjën Vjosa Osmani. Ajo me fushatën e saj ka inspiruar shumë gra që të aktivizohen në shoqëri, në ekonomi… Prandaj unë dua që të bashkëpunojë me Vjosën” , ka thënë Kurti.

Lideri i VV-së ka thënë se Qeveria nuk do të jetë për partinë e tij, por për çdo qytetar të Kosovës. 


MË SHUME NGA Lajme