Lufta Hibride - Kërcënim serioz për sigurinë globale
BKT
Lajme

Lufta Hibride - Kërcënim serioz për sigurinë globale

Ka përfunduar në Helsinki të Finlandës, konferenca dy ditëshe për kërcënimet, konfliktin ose luftën hibride dhe mënyrat e përgjigjes ndaj këtyre kërcënimeve.

Në këtë konferencë në të cilën morën pjesë përfaqësues të shumë shteteve të BE-së, por edhe vendeve të tjera, të cilat janë kryesisht të rrezikuara nga këto kërcënime hibride. Ishte konstatim i përgjithshëm se kjo luftë që po bëhet është shumë shqetësuese dhe pasojat e saj vërehen çdo ditë. Më aktive në këtë luftë është Rusia, ose Kremlini zyrtar, por edhe shtete dhe organizata tjera kryesisht kriminale ose terroriste. Në konferencë u diskutua për masat që janë duke i ndërmarrë instiucionet si NATO, Bashkimi Evropian, por edhe qeveritë e vendeve të ndryshme si përgjigje ndaj këtyre sulmeve hibride. Kërcënimet hibride kombinojnë përfshirjen e ushtrisë dhe mjete jo-ushtarake, si dhe mjetet e fshehta dhe të hapura, duke përfshirë dezinformimin, sulmet kibernetike, presionin ekonomik, vendosjen e grupeve të armatosura të parregullta dhe përdorimin e forcave të rregullta. Metodat hibride përdoren për të mjegulluar linjat midis luftës dhe paqes, dhe përpjekja për të hedhur dyshime në mendjet e popullatës së synuar. Metodat hibride të luftës, të tilla si propaganda, mashtrimi, sabotimi dhe taktikat e tjera jo-ushtarake janë përdorur prej kohësh për të destabilizuar kundërshtarët. Ajo që është e re në lidhje me sulmet që janë parë vitet e fundit është shpejtësia, shkalla dhe intensiteti i tyre, i lehtësuar nga ndryshimi i shpejtë teknologjik dhe ndërlidhshmëria globale. Republika e Kosovës është mjaft e rrezikuar nga kërcënimet hibride dhe për këtë ka shumë argumente duke u nisur nga propaganda mediale e cila për një kohë të gjatë ka qenë prezente në Kosovë e orkestruar nga "Sputnik" dhe "Rusia sot" (Rusia today) e deri të përfshirja e zyrtarëve rus të infiltruar në Organizatat Ndërkombëtare në Kosovë, siç ishte rasti me zyrtarin rus të UNMIK-ut, Mikhael Krasnochenko, i cili motivonte protestuesit radikal serb në veri të Kosovës për protesta të dhunshme.Foto: Mumin Jashari


MË SHUME NGA Lajme