Kadare: Pajtohem me kritikët, Nobeli s`duhej dhënë Handkes
"Akademia Suedeze nuk duhet t’ia kishte dhënë çmimin Handkes, ka thënë Ismail Kadare.
Shkrimtari 83-vjeçar, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve jugkoreanë në Qendrën e Shtypit në Seul, ku sebeb që të ishte aty ishte çmimi prestigjioz Pak Kyong-ni për vitin 2019, ka thënë se për rastin Handke është dakord me mendimin e shumë kritikëve të tjerë.
“E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë,” tha Kadare.
Kadare tha se “Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të izoluara në Evropë, një vend komunist nën diktaturë.”
Por, shtoi ai, Tiranën e ndan vetëm një distancë e shkurtër nga Italia dhe “njerëzit mund ta ndienin ndikimin e botës perëndimore. E megjithatë, ata bënin sikur një ndikim i tillë nuk ekzistonte. Ishte e ndaluar të flisje se sa afër ishte bota perëndimore.”
“Shumica e shkrimtarëve në atë kohë ishin të censuruar nga qeveria. Në Kushtetutë thuhej se nuk mund të shprehje mendime nëse ato ishin kundër regjimit. Shumë nga shkrimtarët ishin në situata të rrezikshme dhe disa u burgosën. Jeta ime është e vetëm njëra nga ato mijëra raste,” tha shkrimtari Kadare.
Ai foli për frymën universale të letërsisë dhe tha se edhe në Shqipërinë dikur të izoluar njerëzit megjithatë dinin për Korenë dhe për realitetin e dyfishtë të popullit korean.
Çmimi Pak Kyong-ni do t’i dorëzohet Ismail Kadaresë më 26 tetor në qytetin Wonju të provincës Gangwon.
Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve. /VoA























